Çfarë dëme lanë buldozerët në zonën e mbrojtur të Zvërnecit?
Ndërhyrjet në zonën Pishë Poro – Nartë kanë prekur habitate prioritare të BE-së për të hapur rrugë një projekti të turizmit elitar.
— Gjurmët e makinerive të rënda në zonën e mbrojtur Pishë Poro – Nartë mbeten si plagë të hapura mbi peizazh, një muaj pas ndërhyrjeve fizike. Banorët dhe ekspertët raportojnë gurë të thyer, barishte të shtypura dhe pemë të rrëzuara, në një hapësirë që për qindra vite është konsideruar si "Foleja e zogjve të egër".
Sipas vlerësimit paraprak të organizatës PPNEA, punimet kanë përfshirë hapjen e të paktën 7.45 kilometrave rrugë të reja dhe zhvendosjen e sasive të mëdha të rërës. Këto ndërhyrje shtrihen në 7.2 hektarë dhe prekin pesë tipe habitatesh të rrjetit Natura 2000, përfshirë habitate prioritare të Bashkimit Europian.
Zydjon Vorpsi, menaxher i politikave pranë PPNEA, deklaron se këto veprime janë bërë në shkelje të ligjit dhe do të kallëzohen. Ai thekson se dëmet mbi habitatet janë të pakthyeshme dhe përmend ndërtimin e një ure betoni në një zonë që më përpara ishte shumë e ruajtur.
Këto punime lidhen me projektin e debatueshëm të turizmit elitar, i cili është lidhur publikisht me Jared Kushnerin, dhëndrin e Donald Trumpit. Projekti, që synon krijimin e një resorti luksoz, është shoqëruar me vendosjen e gardheve me gjemba dhe makineri të rënda, pa qartësi dhe transparencë publike.
Ndërhyrjet kanë ndodhur në një periudhë kritike për jetës e egër, konkretisht në kulmin e folëzimit të shpendëve dhe periudhën e lëshimit të vezëve nga breshkat detare. Prania e ekskavatorëve dhe zhurma e kantierit krijuan presion të menjëhershëm mbi ekosistemin e ndjeshëm bregdetar të Vjosë-Nartës.
Ngjarjet në Zvërnec kanë shkaktuar një protestë maratonë në Tiranë dhe në qytete të jashtme ku jetojnë emigrantët shqiptarë. Protestuesit, që kanë zgjedhur flamingon si simbol, kërkojnë anulimin e projektit dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke ngritur pyetje mbi menaxhimin e territorit publik.
Ambientalistët shohin këtë ndërhyrje pa leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit si një provë të rrezikut që projekte të tilla mbartin për peizazhin. Për Vorpsin, dunat që marrin qindra vite për t'u formuar janë dëmtuar në mënyrë të tillë që zonat e mbrojtura nuk janë më të sigurta.
Burim: Reporter.al
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.