Pse po anashkalohen thirrjet e SHBA-së për gazin natyror në Kosovë?
Çfarë rrezikon Kosova duke qëndruar jashtë infrastrukturës rajonale të gazit të lëngshëm natyror?
PRISHTINË — Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësim të thellë për mungesën e vazhdueshme të konsideratës nga Qeveria në detyrë ndaj thirrjeve të përsëritura të SHBA-së për përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën e gazit të lëngshëm natyror (LNG).
OEAK thekson se Kosova vazhdon të mbetet tejmase e varur nga kapacitetet e vjetruara gjeneruese dhe importet e mëdha të energjisë elektrike, ndërsa tregu rajonal energjetik bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm. "Diversifikimi i burimeve të energjisë, rritja e sigurisë së furnizimit dhe forcimi i konkurrueshmërisë ekonomike duhet të mbeten ndër prioritetet kombëtare të Kosovës", thuhet në reagim.
Shqetësimi i Odës Amerikane shtohet nga fakti se të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shprehur zotimin për t'u bërë pjesë e infrastrukturës rajonale të LNG-së, e cila po zhvillohet me mbështetje të fuqishme amerikane. SHBA ka kërkuar vazhdimisht që Kosova të ndërtojë central gazifikimi, por Qeveria në detyrë duket se po e anashkalon këtë çështje strategjike.
OEAK vlerëson se partneriteti strategjik me SHBA-në mbetet një nga asetet më të rëndësishme kombëtare. "Shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve të aleatit më të afërt bart rrezikun e ndikimit në cilësinë dhe thellësinë e këtij partneriteti", paralajmëron Oda, duke i bërë thirrje institucioneve të Kosovës të rivlerësojnë implikimet afatgjata dhe të angazhohen konstruktivisht me Shtetet e Bashkuara.
Burim: Telegrafi
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.