Si del Ministria e Shëndetësisë në auditi i vitit 2025?
Zyra Kombëtare e Auditimit konfirmon opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare të institucionit.
PRISHTINË — Ministria e Shëndetësisë ka mirëpritur publikimin e Raportit të Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2025 nga Zyra Kombëtare e Auditimit, duke theksuar se raporti konfirmon një opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare të institucionit. Sipas Ministrisë, opinioni i pamodifikuar nënkupton se pasqyrat financiare paraqesin një pamje të drejtë në të gjitha aspektet materiale dhe janë përgatitur në përputhje me standardet dhe legjislacionin në fuqi.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka vlerësuar gjithashtu se, përveç çështjeve të identifikuara në raport, transaksionet e kryera gjatë procesit të ekzekutimit të buxhetit janë realizuar, në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi. Ministria ka theksuar se, pavarësisht interpretimeve të pjesshme të paraqitura në disa raportime mediale, raporti zyrtar konfirmon opinionin e pamodifikuar për Pasqyrat Financiare Vjetore dhe përmban rekomandime që synojnë avancimin e proceseve të kontrollit, monitorimit dhe dokumentimit në fusha të caktuara të menaxhimit financiar dhe administrativ.
Raporti evidenton disa fusha që kërkojnë përmirësime të mëtejshme në aspektin e menaxhimit dhe dokumentimit të proceseve administrative dhe operative. Ministria ka bërë të ditur se do t’i trajtojë me prioritet të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e auditorit, duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për adresimin e tyre brenda afateve të përcaktuara.
Një tjetër element i theksuar në raport është zbatimi i plotë i tri rekomandimeve të dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit për vitin paraprak. Sipas Ministrisë, kjo dëshmon përkushtimin institucional për forcimin e kontrollit të brendshëm, rritjen e transparencës dhe avancimin e llogaridhënies publike në sektorin e shëndetit.
Ministria e Shëndetësisë ka ritheksuar angazhimin e saj për përmirësimin e vazhdueshëm të proceseve të menaxhimit financiar dhe administrativ, me synim ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për qytetarët dhe përdorimin sa më të përgjegjshëm të fondeve publike.
Burim: Zëri
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.