Kush mbron vajzën 10-vjeçare mes akuzave të prindërve në Fier?
Pse institucionet nuk reaguan për rastin e denoncuar nga një punonjëse sociale?
FIER — Një punonjëse sociale e një organizate joqeveritare ka ngritur alarmin për një rast shqetësues në zonën e Mbrostar Urë, në Fier. Sipas saj, një grua e komunitetit rom jeton në kushte të vështira ekonomike me vajzën e saj rreth 10 vjeçe, në një banesë të braktisur.
Punonjësja sociale pretendon se gruaja bashkëjeton me një person tjetër dhe se në prani të vajzës së mitur kryhen veprime të papërshtatshme. Ajo shprehet se ka kërkuar ndërhyrjen e institucioneve, por nuk është marrë asnjë masë konkrete.
Gazetarët u drejtuan në banesën e braktisur, ku pas rreth një ore mbërriti gruaja me vajzën. Ajo mohoi kategorikisht akuzat, duke deklaruar se kujdeset për të bijën. Situata u tensionua me mbërritjen e ish-bashkëjetuesit të saj.
Mes dy palëve shpërtheu një debat i ashpër me akuza të ndërsjella. Burri pretendoi se gruaja kryen marrëdhënie intime në sy të vajzës, ndërsa gruaja e akuzoi atë se kishte përfituar para kur vajza e tyre më e madhe u martua në moshë të re. Gruaja deklaroi se ish-bashkëjetuesi e kishte përdorur më parë vajzën për të lypur në Tiranë, akuzë që ai e mohoi.
Punonjësja sociale e Njësisë Administrative Vajkan deklaroi se familja është e njohur për shërbimet sociale për gjendjen e rënduar ekonomike, por nuk kishte informacione mbi pretendimet e denoncimit. Ajo garantoi se do të kryhen verifikime të mëtejshme në terren. Edhe inspektori i zonës u angazhua të ndjekë situatën pas interesimit të medias.
Burim: Report Tv
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.