Pse nuk mund të gazifikohet thëngjilli në Kosovë?
Pse projekti i gazifikimit të thëngjillit në Kosovë është i pamundur sipas ekspertëve?
PRISHTINË — Njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa, në emisionin "Info Magazine" në Klan Kosova, ka deklaruar se ideja për gazifikimin e thëngjillit në Kosovë nuk është e realizueshme. Ai tha se institucionet e Kosovës, në këtë rast qeveria, nuk kanë arritur ta sqarojnë mjaftueshëm këtë çështje, duke lënë hapësirë për paqartësi dhe spekulime."Për fat të keq, institucionet e Republikës së Kosovës nuk po mbërrijnë me e menaxhu, me hedhë pak dritë në këtë temë dhe mos me na lënë ne këtu të spekulojmë nëse e duam apo nuk e duam, apo e marrim apo nuk po e marrim", tha ai.
Haxhimusa u shpreh se deklaratat e ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë sqaruar disa elemente por kanë ngritur edhe dilema të reja rreth drejtimit të qeverisë. Ai tha se "do të ishte shumë e mirë po të ishte e mundur që Kosova ta gazifikonte thëngjillin", mirëpo, sipas tij, "si në aspektin teknik, inxhinierik dhe ambiental, një projekt i tillë unë besoj që është i vdekur hiç pa filluar".
Haxhimusa shtoi se një projekt i tillë bie ndesh edhe me rregullativat e reja të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e mjedisit, gjë që e bën të vështirë sigurimin e financimit. "Në rast se Bashkimi Evropian është kundër kësaj, atëherë shumë vështirë është me i gjet fondet e Bashkimit Evropian për me financu një projekt të tillë, i cili ka shuma miliardëshe për me u financu", sqaroi ai.
"Një projekt i tillë është në kundërshtim me rregullativat e reja të Bashkimit Evropian, rregullativat ambientale të Bashkimit Evropian. Prandaj, një diçka e tillë e shtron një pyetje tjetër se si do të financohet kjo", deklaroi ai. "Ekonomikisht nuk është i mundur, financiarisht nuk është i mundur me qenë një gaz i tillë konkurrues me gazin amerikan apo çfarëdo gazi qoftë ai, edhe rus qoftë, apo edhe nga Uzbekistani. Nuk mund të jetë ai gaz konkurrues dhe, kur ai nuk është konkurrues, atëherë kush do ta konsumojë atë, përderisa e ke më lirë me e ble diku tjetër?" pyeti Haxhimusa.
Sipas tij, edhe institucionet financiare ndërkombëtare kanë mbyllur dyert për projektet ku thëngjilli mbetet burim energjie. "Dhe, në anën tjetër, edhe bankat me rëndësi, të cilat kanë fuqi financiare me financuar projekte të tilla, edhe ato i kanë mbyllur dyert për secilin projekt ku thëngjilli është burim energjie." "Domethënë, kupton që është e vështirë, por edhe për të njëjtën arsye dështoi edhe projekti i financimit të Kosovës së Re. Prandaj është e vështirë financiarisht, në aspektin ambiental dhe ekonomik, që një projekt i tillë të realizohet", tha ai.
Burim: Demokracia, https://demokracia.com/njohesi-i-ceshtjeve-te-energjise-per-gazifikimin-qe-po-e-shqyrton-kurti-nje-projekt-i-tille-eshte-i-vdekur-pa-filluar/
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.