Pse dëmtohen hallkat elektronike?

Çfarë ndodh kur të dyshuarit dëmtojnë hallkat e tyre elektronike?

Pse dëmtohen hallkat elektronike?
Foto: Wikimedia Commons

PRISHTINË — Në dhjetor të vitit 2024, hallkat elektronike që u vendosën të dyshuarve për vepra penale, hynë në funksion. Por, pak detaje për këtë sistem u dhanë nga ajo kohë deri tash.

Sistemi i hallkave elektronike jo të gjithëve po u pëlqen, meqë në disa raste ato u dëmtuan apo u heqën nga të dyshuarit. Së fundmi në disa raste, në raportin e Policisë së Kosovës, ka raste ku të dyshuarit kanë dëmtuar qëllimisht dhe humbur byzylykun elektronik që vendoset me urdhër të Gjykatës. Policia nuk dha numra se në sa raste deri tash është përdorur ky sistem, ndërkohë që njohësit e sistemit të drejtësisë thonë se kjo nuk duhet të lejohet të shpeshtohet. Në një rast të regjistruar më 25 qershor në Prishtinë, një i dyshuar u arrestua pasi qëllimisht dëmtoi dhe humbi byzylykun, dhe me vendim të prokurorit u dërgua në mbajtje. Në një rast tjetër, një i dyshuar me urdhër mbrojtës kishte larguar nga trupi byzylykun elektronik dhe gjurmuesin GPS të vendosur që nga 11 qershori dhe u dërgua në mbajtje për 48 orë.

Në këto raste, të njëjtit janë dërguar në mbajtje. Avokatët thonë se kjo tregon një tentativë të shmangies së urdhrit të gjykatës dhe nuk duhet të lejohet të përsëritet.

Ardian Bajrakatari, avokat, theksoi se zbatimi i ligjit për mbikëqyrje elektronike të personave që me vendim gjykate u kufizohet liria e lëvizjes, përmes tjerash siguron siguri më të madhe për viktimat për faktin se ato mbrohen nga riviktimizimi potencial, prej veprimeve të ndaluara të personave që janë në këtë masë. Dëmtimi apo heqja e paisjeve që përçojnë sinjal tek salla operative, përbën një veprim të tillë.

Meshari Selimaj, avokat, deklaroi se prishja e hallkës elektronike në një rast konkret ndikon në një formë edhe tek besueshmëria e palës së dëmtuar apo palës së mbrojtur në një procedurë gjyqësore. Sipas tij, në të gjitha ato raste ku vërtetohet se pala përgjegjëse me dashje dhe qëllim ka hequr e ka dëmtuar hallkën elektronike, atëherë duhet të zhvillohet procedurë penale ndaj tij.

Në Kosovë vazhdimisht ishte kërkuar vendosja në funksion e hallkave elektronike, meqë viteve të fundit u shënua rritje në rastet e dhunës në familje, madje vrasje nga persona që kishin edhe urdhër gjykate që të mos u afrohen viktimave.

Burim: Dukagjini, https://www.dukagjini.com/hallkat-elektronike-disa-te-dyshuar-demtuan-e-i-heqen-ato/
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Çfarë tha Londrimi për jetën private dhe BBVK?
  2. Pse propaganda serbe përdor fëmijë për dezinformim?
  3. Çfarë ndodhi me veturën në Bjeshkët e Strellcit?
  4. Pse Xheneta e quan Xhulin 'njeri egoist, i keq'?

Vazhdo leximin