Pse energjia e ripërtëritshme e Kosovës mbetet larg targeteve?
Çfarë e pengon Kosovën të kalojë nga 281 MW në 1.600 MW energji të gjelbër?
PRISHTINË — Kosova ka 281 megavat energji të ripërtëritshme në operim, por targeti strategjik është 1.600 MW — një gap prej më shumë se 1.300 MW që e bën të qartë se tranzicioni energjetik po ecën më ngadalë se sa parashikohet.
Ekspertja e energjisë Zanfina Kabashi, prezantuese kryesore e raportit të INDEP-it dhe KAS-it, tha se vendi ka "drejtim të qartë politik" por ende jo "nivelin e nevojshëm investues" për të kaluar nga konceptet në prodhim konkret.
"Prej 1600-ve i kemi 281 që për momentin i kemi online," tha Kabashi. "Kjo tregon që ekziston një gap shumë i madh." Edhe rreth 70 MW kapacitet të ri janë në proces, por "ende nuk janë lëshuar në punë."
Miftar Nika, udhëheqës i Divizionit për Burime të Ripërtëritshme të Energjisë (BRE), detajoi planet: 600 MW solare, 600 MW nga era dhe 100 MW për prosumerë deri në 2031. Hidrocentralet janë përjashtuar — "Kosova është e cekur që ka një sasi shumë të vogël të ujërave."
Ndërrimi i modelit të mbështetjes po e komplikon më tej kalimin. Nga "feed-in tarifat" fikse deri më 2021, tani zhvillohen përmes ankandeve konkurruese, bazuar në direktivën e re të BE-së të transpozuar në ligjin vendor.
Ankandi solar është ende në "fazë fillestare të ndërtimit." Ankandi i erës ka filluar, me 50–100 MW në fazën e parë — por kjo mbetet thjesht një fillesë ndaj nevojës.
Bekim Maloku nga "Greenkos" e theksoi pikëpamjen e investitorëve: "pasiguria rregullatore" është sfida kryesore. Ai propozoi pesë shtylla për kornizën investuese, duke filluar me "sigurinë rregullatore për investitorët" dhe "infrastrukturë energjetike të gatshme."
Me 34 MW kapacitet prosumerë të autorizuar dhe vetëm një pjesë të instaluar, mesazhi është i njëjtë: ligjet ekzistojnë, por tregu që i financon projektet serioze — jo.
Burim: Lajmi.net
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.