Pse LSDM-ja i kundërvihet votimit elektronik për diasporën?
Çfarë rreziqe shihen nga LSDM-ja në propozimin për votim elektronik për diasporën?
SHKUP — Kryetari i LSDM-së, Venko Filipce, deklaroi se partia do të bllokojë miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, duke vlerësuar se zgjidhjet e propozuara nuk janë në përputhje me standardet demokratike dhe evropiane dhe lënë hapësirë për abuzime.
Një nga vërejtjet e LSDM-së ka të bëjë me propozimin për votim elektronik për diasporën. Sipas Filipçes, votimi elektronik i propozuar nuk ofron mekanizma të mjaftueshëm për verifikimin e identitetit të votuesve dhe, siç thotë ai, hap rrezikun e votimit të pakontrolluar dhe manipulimit të mundshëm zgjedhor.
“Së pari, propozohet votimi elektronik për diasporën. Kjo do të thotë pa asnjë verifikim të njerëzve që nuk i njohim, emigrantëve tanë, se ku janë, cilët do të kontrollojnë identitetin e tyre. Ata thjesht do të jenë në gjendje të votojnë para një kompjuteri dhe kjo do të ketë të njëjtën vlerë si votimi në atdhe. Kjo hap rrezikun e votimit masiv dhe të pakontrolluar, ashtu siç ishte gjatë qeverive të Nikolla Gruevskit .
Është një sistem shumë i rrezikshëm, i cili hap derën për manipulim zgjedhor dhe vjedhje nga kjo qeveri”, tha Filipçe në një konferencë për shtyp të LSDM-së.
Përndryshe, Kodi Zgjedhor është një nga reformat e parapara me Agjendën e Reformave që Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet ta përmbushë deri në fund të qershorit , përkatësisht edhe dy ditë.
Në nenin e propozuar thuhet se “votimi elektronik nga jashtë vendit” është mënyra e ushtrimit të së drejtës së votës në zgjedhjet për President të Republikës dhe për deputetë në Kuvend, përmes një sistemi të sigurt elektronik të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, nga votuesit që ndodhen përkohësisht në punë ose qëndrim jashtë vendit dhe që paraprakisht janë regjistruar për një mënyrë të tillë votimi.
Burim: Portalb, https://portalb.mk/votimi-elektronik-nga-diaspora-eshte-antidemokratik-vleresoi-lsdm-ja/
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.