Mickoski e mohon zgjidhjen e Salit për provimin e jurisprudencës në shqip

Pse kryeministri dhe zëvendëskryeministri i parë japin mesazhe të kundërta për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe?

Mickoski e mohon zgjidhjen e Salit për provimin e jurisprudencës në shqip
Foto: Pixabay

SHKUP — Zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali e shpalli gati zgjidhjen ligjore për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe më 11 qershor, por kryeministri Hristijan Mickoski hodhi poshtë deklaratën një ditë më vonë, duke thënë se "akoma po punohet për zgjidhjen".

Sali kishte njoftuar për Portalb.mk se teksti i Ligjit për provimin e jurisprudencës është përgatitur në afat relativisht të shkurtër nga Komisioni i angazhuar për këtë qëllim. Tani, sipas tij, hapi i radhës është procedura dhe vendimmarrja në Kuvend.

Mickoski, në intervistën për Alsat mbrëmë (15 qershor), e zhvendosi fajin te ministrat e mëparshëm shqiptarë të Drejtësisë nga BDI-ja. "Ministra shqiptarë nga radhët e BDI-së nuk kanë dëshiruar," tha ai, duke shtuar se "kjo Qeveri ka dëshirë dhe punon në atë të gjejë mënyrë se si kjo lëndë apo problem të zgjidhet." Ai shtoi se ministri Fillkov "është pjesë e kësaj Qeverie që kërkon zgjidhje për dallim prej qeverive paraprake."

Mickoski mbrojti ministrin aktual të Drejtësisë, Igor Fillkov, i cili vazhdon të refuzojë provimin në shqip, duke thënë se "ligji aktual, kështu siç është nuk e rregullon provimin, por ia lë të drejtën ministrit të Drejtësisë që me akt tjetër juridik ta rregullojë mënyrën e dhënies së provimit."

Kjo çështje ka bërë bujë që nga janari i këtij viti, kur rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete juridike — UT, UEJL dhe UNT — përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj. Në vitin 2019 ka hyrë në fuqi Ligji për Zbatimin e Gjuhëve.

Rreth 400 studentët kanë protestuar dy herë dhe paralajmërojnë se nuk do të pranojnë "asnjë zgjidhje gjysmake."

Kontradikta qeveritare vjen pasi një propozim-ligj i gatshëm në 2024 u hoq nga agjenda e Kuvendit me ndërrimin e qeverisë. Portalb alarmoi për këtë çështje që në nëntor 2024. Në katër vite që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Gjuhët kanë ndërruar katër ministra të Drejtësisë: Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe tani Igor Fillkov.

Studentët thonë se nuk do të tërhiqen nga kërkesa e tyre e garantuar me ligj dhe kushtetutë.

Burim: Portalb
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Si u konsolidua VLEN-i si subjekt politik në Tetovë?
  2. Siljanovska-Davkova: Ballkani Perëndimor është më i përparuar se Ukraina dhe Moldavia
  3. Si u konsolidua VLEN-i si një alternativë politike për shqiptarët?
  4. 99.9% e fëmijëve në Maqedoni ekspozohen ndaj ndotjes së ajrit

Vazhdo leximin