Pse MPB-ja përjashtoi ofertën maqedonase dhe i dha tenderin Infosoft Systems?
Ministria e Brendshme i jep tenderin 16.7 milionë euro Infosoft Systems nga Tirana, pasi oferta e vetme konkurruese u eliminua me arsye sigurie kombëtare.
PRISHTINË — Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka shpallur fituese të tenderit 16.7 milionë euro kompaninë Infosoft Systems nga Tirana, për furnizimin e institucioneve shtetërore me licenca Microsoft për 36 muaj — procedurë e shpallur në platformën e-prokurimit me dy ofertues.
Oferta fituese nuk ishte ajo më e lira. Kompania Komtrejd Distribucija DOOEL nga Maqedonia e Veriut dorëzoi çmimin më të ulët, por u eliminua nga gara para vlerësimit të çmimit — MPB-ja e hodhi poshtë me arsyetimin e sigurisë kombëtare.
Në letrën zyrtare drejtuar kompanisë maqedonase, ministria ka theksuar se operatori mund të ketë qasje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në sistemet dhe të dhënat e institucioneve shtetërore me rëndësi vitale. Autoriteti kontraktues, sipas MPB-së, është i obliguar të vlerësojë besueshmërinë e operatorit, kontrollin mbi personelin teknik dhe mbrojtjen e të dhënave.
Infosoft Systems nuk është e panjohur për MPB-në: në vitin 2023, i njëjti institucion kishte lidhur kontratë rreth 15 milionë euro me të njëjtën kompani — gjithashtu përmes procedurës së negociuar pa publikim njoftimi, duke ftuar vetëm atë operator.
Dy kontrata radhazi, vlerë thuajse identike, gara praktikisht e mbyllur para se të fillonte: herës me ftesë ekskluzive, herës me konkurrentit e vetëm të eliminuar. Infosoft Systems mbetet furnizuesi i vetëm Microsoft i institucioneve të MPB-së.
Burim: IndeksOnline
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.