Nait Hasani mbetet pa mandat me 17.617 vota të PDK-së
Pse ish-ambasadori i UÇK-së foli hapur për kundështitë brenda PDK-së?
PRIZREN — Nait Hasani, njëri nga themeluesit e UÇK-së, ish-ambasador dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, nuk siguroi ulëse parlamentare në zgjedhjet e 7 qershorit. Kandidat në listën e PDK-së, ai mblodhi 17.617 vota — shifër që ai vetë e quan "nder të veçantë", por jo të mjaftueshme për mandat.
Hasani falënderoi "secilin qytetar që e votoi në çdo cep të Kosovës" dhe anëtarët e PDK-së që qëndruan pranë tij pavarësisht sfidave, pengesave dhe kundërshtive që, sipas tij, u shfaqën edhe brenda vetë partisë.
Në mesazhin e plotë të botuar sot, 18 qershor, ai shkroi: "Këto vota dëshmojnë se besimi i qytetarëve nuk ndërtohet me pazare e intriga, por me punë, qëndrueshmëri, besnikëri dhe përkushtim ndaj idealeve kombëtare e demokratike."
Ish-deputeti u zotua se nuk largohet nga jeta publike: "Do të vazhdoj të jem zëri juaj, duke mbrojtur vlerat për të cilat kemi sakrifikuar ndër breza: lirinë, shtetin dhe dinjitetin e qytetarit tonë."
"Mirënjohje e përjetshme për 17.617 votat e besimit — kjo është fitorja juaj", shkroi Hasani, duke e mbyllur mesazhin me falënderime ndaj mbështetësve të tij.
Burim: PrizrenPress
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.