NATO-ja zvogëlon KFOR-in në Kosovë në 3.000-3.500 trupa
Pse e quan Rutte lajm të mirë reduktimin e ushtarëve në Kosovë?
BRUKSEL — Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka quajtur lajm të mirë planin për të reduktuar numrin e ushtarëve të KFOR-it në Kosovë, nga rreth 4.700 aktualisht në 3.000-3.500 trupa. Rutte foli të mërkurën para gazetarëve në Bruksel në prag të takimit të ministrave të mbrojtjes të aleancës, që zhvillohet në dy ditët e ardhshme, të enjte dhe të premte.
"Kur shikojmë situatën e sigurisë në Kosovë, ajo që shohim është se në përgjithësi vitin e kaluar ajo vazhdoi të përmirësohet. Prandaj është lajm i mirë për Kosovën. Dhe kjo është arsyeja pse NATO në janar ndërpreu dislokimin e forcave rezervë në Kosovë. Dhe kjo u bë pas dy vjetësh rotacioni të vazhdueshëm", tha Rutte, duke përsëritur se misioni do të mbetet i fokusuar në detyrën bazë.
Ky nivel i ri do të rikthejë praninë e para-vitit 2023. NATO-ja kishte rritur trupat pas trazirave të majit 2023 dhe sulmit në Banjskë në vjeshtë të të njëjtit vit, duke dislokuar forca rezervë sidomos në veriun e banuar kryesisht me serbë, të cilat ndërpreu rotacionin dyvjeçar në janar të këtij viti.
Sipas të dhënave të prillit, KFOR-i numëron 4.657 persona nga 31 shtete — jo të gjitha anëtare të NATO-s. Më së shumti kontribuojnë Italia me 907, Shtetet e Bashkuara me 590, Hungaria me 408, Turqia me 382 dhe Gjermania me 308 ushtarë. Në selinë e NATO-s në Bruksel kanë thënë vazhdimisht se KFOR-i do të ketë gjithmonë numrin e duhur të ushtarëve që kërkon situata për të zbatuar mandatin.
Komandanti i forcave të NATO-s për Evropë, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, kishte paralajmëruar "optimizimin" e misionit disa ditë më parë. Rutte theksoi se duke shikuar përpara, NATO-ja synon të kthehet në nivelin e pranisë së para 2023-s, por duke theksuar se kjo do të varet edhe nga rrethanat dhe se KFOR-i do të ketë mes 3.000 dhe 3.500 trupa, duke reflektuar situatën e përmirësuar të sigurisë.
Burim: Koha.net (Autor: Augustin Palokaj, 17 qershor 2026)
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.