Gjykata cakton paraburgim 30-ditor për pesë serbë të dyshuar për masakrën e Reçakut
Si i arsyetuan avokatët kundërshtimin e masës më të rëndë ndaj klientëve të tyre?
PRISHTINË — Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar paraburgim një-mujor për Novica Peçinoçeviq, Stanoje Janiçeviq, Borko Paljiq, Sladan Milisavljeviq dhe Stanko Saviq, të dyshuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale "Krime lufte kundër popullatës civile" në masakrën e Reçakut.
Prokurori i rastit, Ilir Morina, gjatë seancës deklaroi se shumica e dokumenteve për momentin janë konfidenciale dhe nuk mund të ndahen me mbrojtjen dhe të pandehurit, për shkak se një numër i dëshmitarëve kanë kërkuar masë mbrojtëse. Avokatët i kundërshtuan masën njëzëri, duke argumentuar se provat janë të pamjaftueshme.
Nebojsha Vllajiq, mbrojtësi i Peçinoçeviqit, tha se nuk ka bazë për caktimin e paraburgimit. Ai kërkoi që provat "konfidenciale" t'i shfaqen: "E thërras prokurorin dhe gjykatën që provat dhe argumentet që prokurori thotë se për momentin janë konfidenciale, kjo nuk mund të pranohet, këto janë fakte vendimtare për bazën e dyshimit të bazuar, të na jepni që edhe ne t'i shikojmë shkurtimisht, atëherë na thoni se çka ka bërë Novica." Ai shtoi se pjesëtar i një njësie nuk do të thotë kryerës vepre penale dhe se veprimet e të pandehurve duhet të jenë individuale.
Lubomir Pantoviq, avokat i Janiçeviqit, e quajti kërkesën "të paqartë dhe të papranueshme". Sipas tij, përshkrimi i ngjarjes bëhet në mënyrë të përgjithësuar, dhe në kërkesë thuhet se Janiçeviq ka shkelmuar derën e hyrjeve të shtëpive, gjë që nuk mund të jetë konfidenciale. Për fotografitë e prokurorisë tha: "Të na vishni me uniforma të Policisë së Serbisë nga viti 1999 dhe të na fotografoni nga largësia 10, 15 deri 20 metra, ai do të përngjaj si në foto. Pra kjo fotografi është absolutisht rrethanë e pabesueshme në drejtim të dyshimit të bazuar."
Boban Petkoviq, mbrojtësi i Paljiqit, tha se prokurori ka pretenduar se Paljiq është parë rrugëve të Reçakut me uniformë të Policisë serbe në ditën e masakrës, por sipas Kodit Penal, shëtitja dhe ecja me uniformë nuk është vepër penale. Nekibe Maxhuni, avokate e Milisavljeviqit, e kundërshtoi masën e paraburgimit duke propozuar arrest shtëpiak. Ajo tha se në fotografitë e prezantuara, i pandehuri nuk shihet, dhe në faqen 9 të kërkesës përmenden të gjithë të pandehurit e tjerë por jo edhe Milisavljeviq. Shtoi se i mbrojturi i saj ka qenë polic i komunikacionit, jo i njësive të veçanta, dhe ka familjen në Kosovë, duke premtuar se nuk do të largohet.
Millosh Nikolliq, avokati i Saviqit, tha se ka informata të gabuara dhe të pavërteta për klientin e tij. Sipas tij, Saviq nuk ka qenë asnjëherë polic, por punonjës poste në Gjilan. Nikolliq tha se do të dorëzojë prova se Saviq ishte thirrur për të qenë polic rezervë në Gjilan më 15.01.1999, por nuk u përgjigj dhe ishte i dënuar me burg. Për videon ku dyshohet se e shtyn plakun Osman Mujotën të flasë, tha: "Hajde ta shohim fotografinë e Stanko Saviqit në atë video, nuk ekziston." Gjithashtu, në kërkesën e Prokurorisë nuk ka fotografi të Saviqit në uniformë.
Prokurori Ilir Morina e mbrojti masën, duke thënë se fotografitë në fjalë nuk janë prova kryesore, por kryesore janë videot nga Radio Televizioni i Serbisë, dhe se fotografitë janë nxjerrë nga ajo video që është publike në internet.
Gjykata vlerësoi se caktimi i paraburgimit është masë adekuate, pasi ekziston rreziku real që të pandehurit mund të arratisen, duke marrë parasysh se ata janë shtetas të Serbisë dhe mund të jenë të paarritshëm për organet e drejtësisë. Po ashtu, ekziston rreziku që të ndikojnë në prova dhe dëshmitarë, andaj masa e paraburgimit është e vetmja për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale. Kundër këtij vendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Burim: Kallxo
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.