Policia kufizon kamionët mbi 7.5 tonë deri më 15 shtator
Pse ndalohen mjetet e rënda në fundjavë e festa gjatë sezonit turistik?
TIRANË — Policia e Shtetit ka njoftuar kufizime të posaçme qarkullimi për mjetet e rënda gjatë sezonit veror 2026, me synim sigurinë rrugore dhe fluksin e trafikut në akset turistike. Masat hyjnë në fuqi më 19 qershor dhe zgjasin deri më 15 shtator.
Kufizimet synojnë mjetet e transportit të mallrave me masë totale maksimale të autorizuar mbi 7.5 tonë, si dhe kategori të tjera të përcaktuara në udhëzim. Ato zbatohen në autostrada, rrugë interurbane dhe urbane, kryesisht në segmentet që përshkojnë zonat turistike dhe bregdetare.
Oraret e ndalimit janë të prera: të premteve nga ora 15:00 deri në 24:00, të shtunave dhe të dielave nga ora 07:00 deri në 24:00. Për festat zyrtare, kufizimet fillojnë nga ora 15:00 e ditës pararendëse deri në 22:00, e vazhdojnë nga 07:00 deri në 24:00 të ditës së festës.
Nga ndalimi përjashtohen mjetet e emergjencës, ato të Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërore, si dhe transporti i mallrave të domosdoshme — përfshirë produktet ushqimore që prishen. Për furnizime kritike apo nevoja emergjente, autoritetet kompetente mund të japin autorizime të posaçme.
Apeli i policisë drejtohet te të gjithë operatorët e transportit: zbatim i rreptë për të parandaluar aksidentet, shmangur mbingarkesën e trafikut dhe garantuar një sezon turistik të qetë.
Burim: ATSH
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.