Pse Filipçe nuk do t'i japë alibi Mickoskit për zgjedhje?
Sipas Filipçes, zgjedhjet do të vijnë vetëm kur qeveria të shpenzojë të gjitha paratë për tenderë partiakë.
SHKUP — Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi se opozita nuk do t'i japë kryeministrit Hristijan Mickoski alibi për zgjedhje të parakohshme parlamentare, edhe pse çështja është riaktualizuar disa herë. "Nuk do të kërkojë alibi dhe as ne si opozitë nuk do t'ia japim", tha ai.
Sipas Filipçes, zgjedhjet do të ndodhin vetëm kur qeveria të mbetet pa para. "Kur ti shpenzojnë të gjitha paratë për tenderë partiakë, atëherë do të shkojnë në zgjedhje", deklaroi lideri i LSDM-së, duke shtuar se rreth temës ka deklarata kontradiktore — disa herë pro zgjedhjeve, disa herë kundër.
Kryeministri Mickoski kishte deklaruar ndërkohë se qeveria duhet të jetë e gatshme për zgjedhje nëse opozita e sfidon, por sqaroi se ato nuk janë në horizont për muajt në vijim. Rikonstruimi i qeverisë, sipas tij, nuk do të kishte kuptim po të pritej votë e re afër.
"Edhe pse ne si qeveri, unë si kryeministër nuk dëshiroj një skenar të tillë. Për ne është me rëndësi ta çojmë në fund mandatin që e kemi fituar", theksoi Mickoski në intervistën e tij për Alsat.
VLEN dhe BDI kanë shprehur gjithashtu gatishmëri nëse merret vendimi për zgjedhje, por thonë se aktualisht janë të angazhuara në realizimin e programit qeveritar. Pavarësisht retorikës nga të gjitha anët, asnjë forcë politike nuk po tregon gatishmëri reale për votë të re.
Burim: Tetova Sot
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.