Pse mund të shtyhet sërish aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së?
Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë në paraburgim nga nëntori 2020 — avokatët thonë se afati i 22 korrikut mund të shtyhet sërish.
HAGË — Ka mbetur pak më shumë se një muaj deri në afatin e 22 korrikut, që Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë caktuar për shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Por vetë gjykata s'e ka përjashtuar mundësinë e një shtyrjeje tjetër, nëse trupi gjykues e sheh të nevojshëm.
Thaçi dhe bashkëakuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020 — mbi pesë vjet e gjysmë. Procesi gjyqësor ka përfunduar dhe fjalët përmbyllëse janë mbajtur që në shkurt, por aktgjykimi nuk ka ardhur. Ata deklaruan se janë të pafajshëm dhe se lirimi i tyre do të ishte vendimi më i drejtë.
Avokati Arbër Jashari argumenton se paraburgimi ka humbur bazën ligjore: "vet fakti që janë administrua të gjitha provat dhe procesi ka përfundua dhe tash jemi vetëm në pritje të aktgjykimit tregon që kanë pushuar pothuajse edhe ato arsyet minimale me të cilat gjykata mund ta justifikoj atë."
Avokati Skender Musa pranon mundësinë ligjore, por e quan "të palogjikshme për ne që jetojmë në Kosovë". Ka shkresa të shumta dhe ligji i obligon gjyqtarët t'i analizojnë një nga një: "kanë prit disa vite, le të presin edhe disa muaj se më tepër nuk shkon", tha ai për RTK.
Mbrojtja dhe njohësit e drejtësisë kanë ngritur debate mbi transparencën e Gjykatës Speciale edhe herë të tjera. Tani shtojnë edhe shkeljen e drejtave: pesë vjet e gjysmë pritje pas procesit të përfunduar është, sipas tyre, tejkalim i çdo norme ligjore.
Burim: Gazeta Express
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.