Pse Qeveria Kurti refuzon gazin amerikan dhe çfarë pasoja ka për Kosovën?
Hykmete Bajrami (LDK) kërkon transparencë për vendimin e Qeverisë në detyrë, duke theksuar se refuzimi i projektit ka pasoja ekonomike, politike dhe energjetike për Kosovën.
PRISHTINË — Deputetja e rizgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër refuzimin e projektit të gazit amerikan nga Qeveria në detyrë, duke e quajtur atë jo thjesht një vendim infrastrukturor, por një humbje strategjike për sigurinë energjetike dhe konkurrueshmërinë ekonomike të Kosovës.
Bajrami thekson se gjatë gjashtë viteve të qeverisjes së Albin Kurtit, Kosova nuk ka shtuar kapacitete të reja gjeneruese, ndërsa ka importuar rreth 1 miliard euro energji elektrike. Kjo, sipas saj, ka thelluar varësinë nga importi dhe ka rritur koston për qytetarët dhe bizneset.
„Bizneset po përballen me kosto gjithnjë e më të larta të energjisë. Disa tashmë kanë vështirësi serioze operimi, ndërsa të tjera po shqyrtojnë zhvendosjen e investimeve jashtë Kosovës“, deklaroi Bajrami, duke shtuar se refuzimi i gazit amerikan prek drejtpërdrejt zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.
Deputetja kërkon që Qeveria të japë përgjigje nëse ky refuzim ka prapavijë politike, duke theksuar se faktet tregojnë një vazhdimësi: fillimisht u kundërshtua ContourGlobal, pastaj u anulua projekti i gazit të mbështetur nga MCC, dhe tani refuzohet ndërtimi i infrastrukturës së gazit.
Bajrami kërkon transparencë për alternativat e zgjedhura nga Qeveria, duke pyetur: „Le të publikojë studimet. Le të tregojë sa kushton infrastruktura për të sjellë gazin LNG në Kosovë, sa kushton gazifikimi i linjitit dhe pse është zgjedhur njëra alternativë e jo tjetra“. Ajo kërkon gjithashtu të bëhet publike marrëveshja me Shqipërinë për energjinë nga Vlora, duke pyetur nëse Kosova do ta paguajë atë me çmimin e kostos së prodhimit apo me çmimin e bursave ndërkombëtare.
Për ndikimin në raportet Kosovë-SHBA, Bajrami thotë se refuzimi i projekteve amerikane krijon përshtypjen se Kosova nuk i shërben interesave të veta. „Partneriteti me SHBA-në është shumë më i madh se një projekt i vetëm, por kur refuzohen projekte strategjike, krijohet perceptimi se Kosova humb mundësi për investime, siguri energjetike dhe zhvillim ekonomik“, deklaroi ajo.
Bajrami mbyll duke theksuar se çdo vendim në energji matet me rezultatet: „Sot nuk kemi kapacitete të reja gjeneruese, kemi importuar 1 miliard euro energji, qytetarëve po u trashen faturat, bizneseve po u rriten kostot, ndërsa tregtarëve të energjisë po u trashen fitimet. Kjo është arsyeja pse kërkojmë një ndryshim të qasjes“, përfundoi ajo.
*Burim: Ekonomia Online*
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.