Pse serbët e veriut festojnë 'Vidovdanin' në Kosovë?
Çfarë simbolizon kjo ditë për serbët dhe si u shfrytëzua nga Millosheviqi?
MITROVICË — Qindra serbë nga komuna e Mitrovicës së Veriut janë nisur në mënyrë të organizuar për të festuar 'Vidovdanin', ditën që përkujton Betejën e Kosovës të vitit 1389. Autobusët i kanë çuar në Graçanicë, ku do të mbahet meshë, për të vazhduar më pas në Gazimestan, afër Obiliqit, ku tradicionalisht mblidhen për këtë ngjarje.
Beteja e Kosovës, e zhvilluar më 28 qershor 1389, shënon humbjen e koalicionit të ushtrive të popujve të Ballkanit kundër Perandorisë Osmane. Sipas burimeve historike, në betejë u vranë të dy liderët — Princi Llazar dhe Sulltan Murati I — por Perandoria Otomane kishte resurse për të vazhduar zgjerimin, ndërsa popujt e Ballkanit u detyruan të bëhen vasalë ose u pushtuan.
Për serbët, 'Vidovdani' është një ditë simbolike, e ngarkuar me mitologji kombëtare. Megjithatë, beteja nuk ishte thjesht një përballje mes serbëve dhe turqve, por një koalicion i princave të Ballkanit, përfshirë edhe princër shqiptarë. Një nga figurat më të diskutueshme është Vuk Brankoviq, i cili u tërhoq nga beteja dhe u cilësua si 'tradhtar' në tregimet serbe.
Ngjarja u shfrytëzua politikisht nga Slobodan Millosheviq në vitin 1989, kur mbajti një fjalim të diskutueshëm në Gazimestan për 600-vjetorin e betejës. Fjalimi i tij, i cili përmbante frazën 'Përsëri jemi para betejave', u interpretua si kërcënim për luftërat që do të ndodhnin në ish-Jugosllavi. Ngjarja u bojkotua nga përfaqësues të shumicës së vendeve perëndimore, me përjashtim të Turqisë.
Sot, serbët e veriut vazhdojnë të festojnë këtë ditë, ndërsa Policia e Kosovës dhe KFOR-i monitorojnë situatën për të parandaluar incidente. Burim: Telegrafi
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.