Pse veteranët holandezë në Kosovë paraqiten me sy të mbyllur e të hapur?

Ekspozita “Fytyrat e lirisë” në Galerinë e Arteve të Prishtinës nderon paqeruajtësit dhe eksploron kujtesën përmes fotografisë.

Pse veteranët holandezë në Kosovë paraqiten me sy të mbyllur e të hapur?
Foto: Pixabay

PRISHTINË — Në Galerinë e Arteve të Prishtinës kujtesa vjen nëpërmjet fytyrave. Ekspozita “Fytyrat e lirisë”, e organizuar nga Ambasada e Holandës në Kosovë dhe e kuruar nga Yllka Fetahaj, sjell portretet e veteranëve holandezë që shërbyen në ditët e para të lirisë.

Portretet bardhezi janë realizuar nga fotografja holandeze Febe Meijnen. Secili protagonist paraqitet dy herë: në njërin portret me sytë e hapur, në tjetrin me sytë e mbyllur. Një koncept i thjeshtë në dukje, por me ngarkesë të madhe emocionale.

Midis këtyre dy çasteve — hapjes dhe mbylljes së syve — shtrihet një territor i padukshëm kujtimesh, emocioneve e reflektimesh. Aty ku fotografia zakonisht fikson një moment, kjo ekspozitë kap diçka më të vështirë: kujtesën.

Në dialog me portretet vijnë fotografitë dokumentare të fotografit Ferdi Limani, të cilat sjellin më të qartë kontekstin historik të Kosovës. Përmes kodeve QR dhe materialeve audio, vizitorët mund të dëgjojnë rrëfimet e vetë veteranëve, duke e bërë ekspozitën përtej përvojës vizuale, edhe takim me zërat e atyre që bartin kujtimet e luftës.

Sipas konceptit kuratorial të Yllka Fetahajt, ekspozita e zhvendos vëmendjen nga historia si fakt drejt historisë si përjetim. Ajo shtron pyetjen se çfarë mbetet pas një misioni ushtarak dhe si vazhdojnë përvojat e së kaluarës të jetojnë në fytyrat e atyre që i kanë bartur për dekada. Në vend të heroizmit tradicional, ekspozita flet për kujtesën, përgjegjësinë dhe gjurmët që historia lë tek individi.

Në hapje, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e lidhi temën e kujtesës me rrugëtimin e tij personal. “Si djalë i ri vija këtu, babai im ka qenë piktor. Ishte profesor në Akademinë e Arteve”, tha Rama, i cili u largua 16-vjeçar dhe u kthye pas 29 vjetësh. Ai falënderoi veteranët, NATO-n dhe UÇK-në, duke e quajtur lirinë “një mrekulli”.

Rama theksoi se fuqia e ekspozitës qëndron në atë moment kalimi nga kujtesa te shikimi, duke pyetur nëse njerëzit guxojnë t’i rikthehen kujtimit. Ai përmendi edhe çrregullimet post-traumatike që bartin si veteranët, ashtu edhe shoqëria kosovare. Zëvendësambasadori holandez Ronald Goldberg tha se ekspozita është bashkëpunim i veçantë mes institucionesh dhe artistësh të të dy vendeve.

Burim: Koha.net
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Kosova humbi 735 milionë euro në import energjie — çfarë duhet të ndryshojë?
  2. Shorti i Conference League vë Malishevën kundër Vllaznisë
  3. Sa ulëse do të marrë VV-ja dhe kush humb mandatin e 53-të?
  4. Çfarë po ndodh me shkyçjet e ujësjellësit në Suharekë?

Vazhdo leximin