Si do të eliminohen kabllot ajrore në qytetet shqiptare?
Pse qeveria synon kalimin në infrastrukturë nëntokësore për rrjetet e internetit?
TIRANË — Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e një kapitulli të ri për zhvillimin e infrastrukturës digjitale në qytetet e vendit. Synimi kryesor është sistemimi i rrjeteve të komunikimit elektronik përmes eliminimit gradual të kabllove ajrore, duke kaluar drejt një infrastrukture nëntokësore për rrjetet e internetit.
Gjatë episodit të radhës të podcast-it “Flasim”, Rama deklaroi se kjo nismë synon t'u japë fund kavove që rrotullohen rrugë më rrugë, mbetje të epokës së përhapjes së internetit. Sipas tij, ndërhyrja nuk është thjesht modernizim teknik, por një hap për unifikimin e hapësirës publike dhe zgjidhjen e problemeve të trashëguara ndër vite.
Paralelisht, Kryeministri bëri të ditur se gjatë muajit korrik do të prezantohet programi kombëtar “Rilindja Urbane 2.0”. Ky projekt, i hartuar në bashkëpunim me pushtetin vendor, do të fokusohet në një fazë të re të zhvillimit të komuniteteve në të gjithë vendin, duke përfshirë ndërhyrje në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve, mbështetje për transportin publik të gjelbër, krijimin e kapaciteteve të reja të parkimit dhe rigjallërimin e zonave industriale. Gjithashtu, Rama theksoi zhvillimin e muzeve të identiteteve lokale dhe zgjerimin e programeve për start-up-et, duke forcuar bashkëpunimin mes sipërmarrjes dhe pushtetit lokal për zhvillim ekonomik.
Rama pretendon se “Rilindja Urbane 2.0” do të funksionojë si një model i ri bashkëpunimi me komunitetet, duke garantuar më shumë transparencë dhe përfshirje të qytetarëve. Ai e cilësoi këtë proces si një hap të rëndësishëm drejt objektivit “Shqipërisë 2030” në Bashkimin Europian.
*Burim: ATSH*
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.