Çfarë rritje të pazakontë të depozitave në euro ka shënuar Shqipëria në maj?
Pse depozitat në valutë të bizneseve dhe llogarive të tjera janë rritur me 218 milionë euro?
TIRANË — Depozitat në banka në Shqipëri kanë shënuar një rritje të fortë në muajin maj, të ndikuar nga bizneset dhe llogaritë e tjera, të dyja në euro. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të prillit, depozitat në lekë të individëve, bizneseve e institucioneve të tjera në banka kanë arritur në 751.6 miliardë lekë, me një rritje prej 13.9 miliardë lekë, ose 1.9%.
Me bazë vjetore (maj 2026/maj 2025), kursimet në monedhën vendase janë shtuar me 107 miliardë lekë, ose 16.5%. Përmirësimi i depozitave në maj është ndikuar më pak nga individët, dhe kryesisht nga bizneset, sidomos korporatat financiare dhe jo financiare.
Rritje e fortë e depozitave në valutë, nga biznesi dhe llogaritë e tjera Depozitat në valutë në total arritën në 9 miliardë euro në fund të muajit maj, me një zgjerim të fortë prej 267 milionë eurosh, duke shënuar një rritje të pazokontë për majin.
Kjo është rritja e dytë më e fortë vjetore historike, që prej janarit 2016, kur Banka e Shqipërisë i raporton të dhënat në euro, vetëm pas gushtit 2023 (+286 milionë euro), që përkon me periudhë sezonale kur ka shumë prurje nga turizmi.
Rritja e fortë e depozitave në euro ka ardhur nga dy zëra, që së bashku janë zgjeruar me 218 milionë euro. Së pari, depozitat e trasferueshme të “Korporata jofinanciare private” u rritën në maj me 152 milionë euro, ose 10% në krahasim me prillin 2026.
Kjo është rritja më e madhe historike e depozitave në valutë të bizneseve që nga janari 2016, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat. Kjo është një tendencë e pazakontë për majin, teksa rekordin deri tani e mbante gushti, kur ka hyrje valute të lartë për shkak të turizmit.
Së dyti, edhe zëri “Llogari të tjera të klientëve”, u rrit me 38%, ose 66 milionë euro. Edhe rritja e këtij zëri është e pazakontë, teksa zgjerimi maksimal mujor kishte qenë 20 milionë euro, po në gusht.
Në krahasim me një vit më parë, depozitat totale në euro janë rritur me 936 milionë euro, ose 11.5%. Depozitat arrijnë rekord Banka e Shqipërisë e raporton stokun e kursimeve totale në lekë dhe euro të konvertuara në monedhën vendase, që në fund majit arriti në 1.53 trilionë lekë, duke shënuar rekord historik (gati 16 miliardë euro).
Në një vit, nga maji 2025 deri në maj 2026, depozitat në sistemin bankar (të konvertuara në euro) janë shtuar me rreth 2 miliardë euro, ku ndikimin më të madh, me rreth 55% të rritjes, e ka dhënë monedha vendase (+106.2 miliardë lekë, ose rreth 1.1 miliardë euro) dhe më pak ajo në euro (+936 milionë euro).
Burim: Shqiptarja
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.