Si u pranuan ofertat prej 1 euro në tenderin 3-milionësh?
ZKA zbulon parregullsi të mëdha në kontratën për ndërtimin e rrugës Mushtrisht - Shtërpcë, ku operatori fitues ofroi çmime minimaliste pa asnjë verifikim.
PRISHTINË — Zyra Kombëtare e Auditimit ka zbuluar parregullsi të mëdha në një tender rrugor prej gati 3 milionë eurosh të MMPHI. Gjatë kohës kur kjo ministri udhëhiqej nga Liburn Aliu, u pranuan pozicione paramase me çmime prej vetëm 1 euro, duke dëshmuar mangësi në kontrollet e brendshme.
Bëhet fjalë për kontratën e nënshkruar për ndërtimin e rrugës rajonale Mushtrisht – Shtërpcë, me vlerë totale 2,970,000 euro. Kompania fituese kishte ofertuar me çmime jo-normalisht të ulëta, ku furnizimi me rërë mbrojtëse dhe lëshesat rrethore u kuotuan me vetëm 1 euro.
Sipas ZKA, komisioni vlerësues i ministrisë nuk kërkoi sqarime shtesë me shkrim nga operatori për këto çmime të ulëta, ashtu siç e obligon Ligji për Prokurimin Publik. Ky dështim ligjor ka bërë që kontrata të kalojë pa asnjë verifikim apo arsyetim ekonomik.
Ky rast vjen pas zbulimeve të tjera për keqmenaxhim në këtë dikaster. Kohë më parë, ZKA zbuloi te MMPHI qindra mijëra euro paga të paguara pa dëshmi pune. Ky tender i ri konfirmon neglizhencën e vazhdueshme institucionale.
Auditori paralajmëron se kjo neglizhencë e theksuar rrezikon drejtpërdrejt cilësinë e punimeve dhe rrit gjasat për mosrealizimin e plotë të këtij projekti rrugor. Mungesa e veprimit nga komisioni i ministrisë dëmton rëndë parimin e transparencës dhe konkurrencën e ndershme në prokurimin publik.
Burim: Klan Kosova
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.