Shqipëria përfshihet nga i nxehti, temperaturat deri në 41 gradë
Si parashikohet të lëvizin temperaturat dhe ku pritet të shënohen vlerat më të larta?
TIRANË — Shqipëria do të përfshihet nga një valë e fortë të nxehti përgjatë javës së ardhshme, e cila pritet të sjellë temperatura tejet të larta. Sipas parashikimeve të fundit meteorologjike, moti do të jetë kryesisht i kthjellët, por me vlera termike që në zona të caktuara pritet të ndihen deri në 41 gradë Celsius.
Fillimi i javës do të karakterizohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike dhe dominim i diellit në të gjithë vendin. Megjithatë, meteorologët paralajmërojnë se gjatë ditëve të martë dhe të mërkurë pritet shtim i vranësirave, të cilat mund të sjellin edhe reshje të izoluara shiu në zonat kodrinore dhe ato malore.
Temperaturat maksimale pritet të luhaten kryesisht midis 36 dhe 37 gradë Celsius, por në mesin e javës ndjesia termike do të jetë shumë më e lartë. Edhe temperaturat minimale do të mbeten të larta, duke mos zbritur nën 24 gradë Celsius, çka do të sjellë net tropikale në pjesën më të madhe të vendit.
Përballë kësaj situate me temperatura ekstreme, qytetarëve u këshillohet të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell gjatë orëve të mesditës. Specialistët bëjnë thirrje për konsum të shtuar të lëngjeve për të evituar problemet e mundshme shëndetësore që mund të shkaktohen nga kjo valë e të nxehtit tropikal.
Burim: Ekonomia Online
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.