Pse Kosova s'ka zgjidhje tjetër për gazin amerikan, sipas Zekës?
Zeka thotë se 'nuk ka zgjidhje tjetër' pasi rezultati i 7 qershorit dëshmon se shumica e votuesve nuk e mbështeti platformën energjetike të qeverisë.
PRISHTINË — Arian Zeka, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, tha se Kosova duhet ta bëjë gazin amerikan pjesë të agjendës shtetërore. Duke folur në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, Zeka tha se zgjidhje ekzistojnë, por gjithçka duhet të nisë nga një "po" e institucioneve kosovare.
"Çështja fillestare duhet të jetë që Kosova t'i thotë po, ta bëjë pjesë edhe njëherë të agjendës së saj zyrtare. E pastaj këto çështje të tjera të financimit, të lartësisë së kostos — besoj që janë çështje të cilat kanë zgjidhje," tha ai.
Zeka vuri në dukje se debati energjetik kishte nisur pak para zgjedhjeve të 7 qershorit — sipas tij, kjo ishte "një mundësi e mirë" që votuesi kosovar ta japë verdiktin e tij mbi çështjen. Ai tha se shumica dërrmuese e votuesve nuk e ka mbështetur agjendën energjetike të partisë në pushtet.
"Përqindja që ka marrë partia në pushtet, e cila po refuzon t'i thotë po përfshirjes së Kosovës në agjendën energjetike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, besoj është dëshmia më e mirë që bie në kundërshtim me verdiktin e votuesve," tha Zeka. Konkluzioni i tij: "Nuk ka zgjidhje tjetër përveç se t'i thuhet po."
Burim: Demokracia
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.