kosove siguri

Pse po rritet numri i zjarreve nga energjia elektrike në Kosovë?

Institucionet paralajmërojnë se kyçjet ilegale dhe mbingarkesa e rrjetit janë shkaqet kryesore të incidenteve në banesat kolektive dhe bizneset.

Pse po rritet numri i zjarreve nga energjia elektrike në Kosovë?
Foto: Wikimedia Commons

— Zjarret në ndërtesat kolektive, shtëpi dhe objekte biznesi po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në Kosovë. Sipas të dhënave të prezantuara në emisionin "Zjarret nga rryma" në "KallxoPërnime", pjesa më e madhe e këtyre rasteve lidhet me instalimet elektrike të pasigurta, mbingarkesën e rrjetit dhe kyçjet ilegale të energjisë.

Lulzim Fushtica, Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, deklaron se gjatë viteve të fundit është shënuar një rritje e zjarreve në ndërtesat kolektive. Fushtica thekson se hetimet tregojnë se shumica e rasteve janë pasojë e pakujdesisë dhe ndërhyrjeve në rrjetin elektrik, përfshirë përdorimin e pajisjeve me konsum të lartë të energjisë.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Drenas, Afrim Gjeli, vëndos theksin te punimet joprofesionale. Sipas Gjelit, ndërhyrjet nga persona të paautorizuar dhe pajisjet e vjetruara elektrike mbeten ndër shkaqet kryesore të shpërthimit të zjarreve, gjë që mund të shkaktojë pasoja serioze në objekte banimi apo biznesi.

Avni Alidemaj nga KEDS paralajmëron se kyçjet ilegale përbëjnë rrezik serioz, pasi personat që i realizojnë ato përdorin materiale të papërshtatshme. Kjo praktikë rrit rrezikun për dëmtim të rrjetit dhe shpërthim zjarri, andaj Alidemaj u bën thirrje qytetarëve që për çdo kyçje të re të ndjekin procedurat zyrtare dhe të kërkojnë asistencën e ekipeve të autorizuara.

Një tjetër problematikë është banimi në ndërtesa që nuk kanë kaluar pranimin teknik. Vehbi Krasniqi, komandanti i Zjarrfikësve në Suharekë, thotë se shumë objekte popullohen para certifikimit të sistemeve elektrike dhe atyre kundër zjarrit, gjë që shkakton djegie të orëve elektrike dhe dëme materiale të konsiderueshme.

Zjarre-fikësi Malë Gashi nga Brigada e Prishtinës vë në dukje se në ndërtesat shumëkatëshe rreziku më i madh mbetet tymi i dendur që përhapet shpejt. Edhe pse evakuimi nga katet e larta është sfidë e madhe, Gashi konfirmon se fatmirësisht nuk kanë pasur humbje jete në këto raste, ndonëse tymi mbetet rreziku kryesor.

Për sa i përket zjarreve fushore, Fushtica raporton se në Prishtinë janë realizuar mbi 5 mijë intervenime gjatë vitit të kaluar, ku 99 për qind të tyre shkaktohen nga faktori njeri. Ndërkohë, zjarrfikësit në Suharekë po përballen me mungesë personeli pasi kërkesat për punëtorë sezonalë nuk janë realizuar, duke vështirësuar reagimin gjatë sezonit veror.

Burim: Gazeta Express
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Vdesin babë e bir në Deçan
  2. Vetaksidentohet në Drenas, policia gjen armë zjarri?
  3. Kur do të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit?
  4. Pse pritet bashkëpunimi i Capital T dhe Ledri Vulës?

Vazhdo leximin