Çfarë trajtim marrin rreth 200 foshnja me anomali të lindura çdo vit në Tiranë?
Shërbimi i Ortopedisë Pediatrike në Spitalin Universitar të Traumës aplikon teknika bashkëkohore sipas standardeve ndërkombëtare.
TIRANË — Rreth 200 fëmijë të moshës 0–1 vjeç me anomali të lindura marrin trajtim çdo vit në Shërbimin e Ortopedisë Pediatrike pranë Spitalit Universitar të Traumës, përmes teknikave operatore bashkëkohore në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.
Prindërit e fëmijëve të trajtuar shprehen me mirënjohje ndaj ekipit mjekësor në një video të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Ata vlerësojnë jo vetëm profesionalizmin e ekipit, por edhe mbështetjen njerëzore gjatë gjithë procesit të trajtimit dhe rikuperimit.
Një prind rrëfen se anomalia e fëmijës u zbulua gjatë ekos morfologjike në shtatzëni dhe tani po ndjek procesin e gipsit. "U them prindërve që përballen me situata të tilla që ta marrin me qetësi se çdo gjë do kalojë," tha ai, duke lënë të hapur mundësinë e ndërhyrjes kirurgjikale.
Kujdesi i specializuar dhe efikas i ofruar rrit ndjeshëm mundësitë për zhvillim të shëndetshëm dhe cilësi më të mirë jete për pacientët e vegjël. Mesazhet e prindërve janë dëshmi e besimit publik te puna e përditshme e mjekëve, infermierëve dhe specialistëve të shërbimit shëndetësor.
Burim: ATSH
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.