Pse po rritet fruthi në Kosovë?
IKShPK rekomandon vaksinimin e fëmijëve për të parandaluar përhapjen e fruthit
PRISHTINË — Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) njofton se gjatë periudhës 16 prill deri më 29 qershor 2026, në Kosovë janë raportuar gjithsej 47 raste të konfirmuara me fruth.
Sipas komunave, numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës me 14 raste, komuna e Ferizajt me 12 raste; Kaçaniku me gjashtë raste; Fushë-Kosova me tre raste; Lipjan, Vushtrri, Shtime dhe Obiliq, me nga dy raste; si dhe me nga një rast komunat: Gjilan, Drenas, Deçan dhe Viti.
IKShPK rekomandon që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore.
Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare.
Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pa-vaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.
Burim: Telegrafi
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.