Çfarë bëri Gentjan Berberi në zyrën e Burimeve Njerëzore?
Berberi, i shkarkuar nga Shkodra javë më parë, dyshohet se kërcënoi drejtoreshën e Burimeve Njerëzore të Policisë — tani pezullohet.
TIRANË — Gentjan Berberi, ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij ka nisur hetim disiplinor. Të enjten, Berberi u paraqit në zyrën e drejtoreshës së Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ku dyshohet se përdori fjalor fyes dhe kërcënoi zyrtaren për shkak të uljes në detyrë.
Pak ditë më parë, Berberi ishte shkarkuar nga posti i drejtorit të Policisë së Shkodrës për performancë të dobët, pas evidentimit dhe asgjësimit të disa parcelave me kanabis në territorin e qarkut. Pas largimit nga Shkodra, ai u emërua në sektorin e Analizës të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.
Drejtori i Përgjithshëm Skënder Hita vendosi pezullimin e menjëhershëm të Berberit, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale nisi procedurat e hetimit disiplinor. Drejtoresha e Burimeve Njerëzore depozitoi gjithashtu kallëzim penal pranë AMP, duke e akuzuar për ofendime dhe kërcënime të ushtruara ndaj saj gjatë ushtrimit të detyrës.
Burim: Gazeta Tema
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.