Si shpëtoi kirurgu shqiptar Nikolin Ali këmbën nga tumor 11-kg?
Si arriti një ekip ndërkombëtar në Bolonjë të shmangë amputimin e një pacienteje me liposarkomë të rrallë?
BOLONJË — Një ndërhyrje kirurgjikale e kryer më 16 qershor në “Istitutin Ortopedik Rizzoli” të Bolonjës ka bërë të mundur shpëtimin e këmbës së një pacienteje nga një tumor me peshë 11 kilogramë, i cili shtrihej nga ijët deri te kyçi i këmbës, sipas lajmit të insalutenews.it dhe ATSH.
Bëhej fjalë për një liposarkomë, tumor malinj i rrallë dhe jashtëzakonisht agresiv që prek indet e buta. Masa tumorale mbështillte përgjatë gjithë gjatësisë së saj enët kryesore të gjakut të gjymtyrës dhe nervin shiatik, duke krijuar një lokalizim veçanërisht të vështirë për heqjen kirurgjikale.
Për shkak të përhapjes së masës dhe përfshirjes së strukturave anatomike jetike, amputimi i këmbës në nivelin e kofshës ishte një nga opsionet terapeutike. Megjithatë, ekipi mjekësor arriti të realizojë me sukses një ndërhyrje konservative, e cila zgjati rreth pesë orë, duke hequr plotësisht tumorin dhe duke ruajtur funksionalitetin e gjymtyrës.
Ekipin e përbënin kirurgët ortopedë Luca Cevolani, Marco Colangeli dhe Nikolin Ali të Klinikës 3 të Ortopedisë Onkologjike të Rizzolit, të drejtuar nga Davide Maria Donati, me mbështetjen e Anestezisë dhe Reanimacionit të drejtuar nga Alessandro Ricci, së bashku me personelin infermieror dhe teknik të sallës së operacionit. Kirurgët theksojnë se “Rizzoli është një qendër referimi ndërkombëtare për tumoret e aparatit muskulo-skeletor, ku përfshihen edhe sarkomat e indeve të buta, ndaj jemi të mësuar të përballemi me kompleksitetin klinik dhe kirurgjikal që ato sjellin”.
Pacientja, e ardhur nga rajoni i Abruzzo, tashmë ka mundur të ngrihet në këmbë dhe të ecë, duke nisur rehabilitimin fizioterapeutik të nevojshëm për rikthimin e lëvizshmërisë së gjymtyrës së operuar.
Burim: ATSH, insalutenews.it
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.