Çfarë sqaron KQZ-ja pas dyshimeve për votimin e diasporës?

Institucioni detajon masat e sigurisë: fotografi në kohë reale, 30 qendra diplomatike, 22 shtete — dhe pohon: asnjë ankesë.

Çfarë sqaron KQZ-ja pas dyshimeve për votimin e diasporës?
Foto: Wikimedia Commons

PRISHTINË — Pas shqetësimeve publike mbi organizimin e votimit jashtë Kosovës, veçanërisht atij përmes postës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me sqarim të detajuar, duke pohuar se i gjithë procesi u zhvillua në përputhje me ligjin dhe me masa të shumta sigurie për integritetin e votës.

KQZ thotë se votimi jashtë vendit mbështetet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe ka pasur masa të veçanta sigurie. Mes tyre, fotografimi në kohë reale gjatë aplikimit: votuesit nuk mund t'i ngarkojnë foto të gatshme, por duhet të fotografohen në çastin kur kamera e platformës për regjistrim hapet.

Janë caktuar 30 qendra votimi brenda përfaqësive diplomatike të Kosovës — 17 ambasada dhe 13 konsullata. Për votimin me postë, kutitë postare janë hapur në 22 shtete, krahas kutisë së përhershme brenda Kosovës. Çdo votues i regjistruar ka pranuar me email dëftesë regjistrimi me të dhëna unike — dokument i domosdoshëm për verifikimin e vlefshmërisë.

Që nga zgjedhjet lokale të vitit 2025, KQZ i shtypë vetë fletëvotimet e dërguar jashtë vendit, të pajisura me elemente sigurie identike me ato të vendvotimeve brenda Kosovës. Pakoja dërguar votuesit përmban fletëvotimin dhe udhëzuesin; votuesit i takon ta kthejë fletëvotimin e futur në zarfin e fshehtësisë bashkë me dëftesën e regjistrimit.

Tërheqja e pakove nga kutitë postare jashtë vendit është bërë nga zyrtarë të autorizuar të përfaqësive diplomatike. Zarfet evidentohen brenda objektit të postës dhe vendosen në thasë të mbyllur me lidhëse e shirita sigurie. Ekipi ka regjistruar numrin e zarfeve dhe numrin e lidhëses, me fotografi e raporte të dërguara menjëherë me email në KQZ.

Vëzhguesit e akredituar dhe ata të subjekteve politike kanë qenë prezentë "pothuajse gjatë gjithë kohës" kur janë hapur thasët dhe janë vlerësuar zarfet. Asnjë prej tyre nuk ka paraqitur vërejtje. Zyrtarët, nga ana e tyre, "nuk kanë vërejtur asgjë të pazakontë gjatë hapjes dhe shqyrtimit" të zarfeve.

KQZ thekson se gjatë gjithë procesit — nga votimi me postë, tërheqja e pakove dhe vlerësimi, deri te numërimi — nuk ka pranuar asnjë ankesë. Sqarimi i detajuar vjen ndërkohë që Parlamenti Evropian ka nënvizuar shqetësime mbi politizimin e KQZ-së, duke e bërë transparencën e procesit zgjedhor objekt të debatit publik.

Burim: Demokracia
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Si e kushtëzon LDK-ja bashkëpunimin me Kurtin?
  2. Rritje apo stagnim: çfarë ndan LDK-në pas 18 ulëseve?
  3. Çfarë u vlerësua nga ministrat e NATO-s për situatën e sigurisë në Kosovë?
  4. Sa palë zgjedhje i duheshin LDK-së për koalicion me VV-në?

Vazhdo leximin