Majlinda Bufi shkon në GJKKO për shpërdorim të detyrës
Pse kërkon SPAK 1 vjet e 6 muaj burg për kryebashkiaken e Roskovecit?
TIRANË — Kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi, u paraqit të enjten në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për seancën e radhës gjyqësore në ngarkim të saj. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) e akuzon për "përdorim të detyrës për veprimtari politike dhe zgjedhore".
SPAK ka kërkuar dënimin e saj me 1 vit e 6 muaj burg, me konvertim në shërbim prove për 2 vjet. Akuzë e rëndë për një kryetare bashkie në detyrë.
Sipas aktit të akuzës, Bufi i ka kërkuar shtetasit G.B të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe të mos përfshihet në veprimtari politike të forcave të tjera, duke e kërcënuar. Rasti u bë publik më 6 maj 2023 përmes një regjistrimi audio të publikuar në media.
Hetimet zbuluan se personi në fjalë ishte përfitues i një programi social të bashkisë për përmirësimin e kushteve të banimit, megjithëse objekti nuk ishte banesë ekzistuese dhe kishte mangësi dokumentare mbi pronësinë. Para takimit, punonjës të IMT-së kishin ndërhyrë në banesën e tij duke i kërkuar ndalimin e punimeve për ndërtim pa leje.
Gjatë takimit në ambientet e bashkisë, Bufi i ka përmendur tejkalimin e ndihmës dhe komunikime të mëparshme ku G.B shprehte mbështetje për kandidatin e opozitës. Sipas SPAK, kërkesa për të mos votuar u bë nën presion dhe kundër vullnetit të tij. Pavarësisht kësaj, shtetasi G.B ka ushtruar të drejtën e votës më 14 maj 2023.
Burim: Almakos
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.