Çfarë po i zë vendin librit në kohën e TikTok-ut?

Autorët dhe botuesit në edicionin e 26-të të Panairit të Librit thonë se mediat sociale kanë ulur interesimin, por libri mbetet 'relacion intim' që nuk duhet harruar.

Çfarë po i zë vendin librit në kohën e TikTok-ut?
Foto: Nam Phong Bùi / Pexels

PRISHTINË — Ka nisur edicioni i 26-të i Panairit të Librit “Prishtina 2026” në Pallatin e Rinisë. Me moton “Libri hap botën”, ky organizim, i cili mbledh autorët dhe shtëpitë botuese të vendit dhe rajonit, u organizua nga Shoqata e Botuesve të Kosovës me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Prishtinës dhe Pallatit të Rinisë.

Autori Blerim Gjoci e quajti panairin “qershia mbi tortë” për të gjithë ata që kanë “pakëz etje për intelekt”. Sipas tij, panairet janë mundësia kryesore që njerëzit të njoftohen me tituj të rinj, me libra të rinj, me autorë të rinj dhe me botëkuptime të reja. “Kur futem në panair të librit mundohem me çdo kusht mos me marrë shumë para me vete, se i harxhoj të gjitha”, tha ai.

Sa i përket interesimit për lexim, Gjoci theksoi se ai ka rënë për shkak të “kakofonisë së social media-ve dhe TikTok-ave”. Ai vuri në dukje se shumica e informatave sot merren prej tyre, shpesh pa u konfirmuar. “Ndryshe është kur përshkruhet një send, ashtu në sublim, e ndryshe kur konsumohet shpejt e shpejt. Kur e lexon një libër, atë send s’e harron. Ndërsa TikTok-at i lexon, i harron. Libri është vetëm ti dhe libri. Është një relacion intim që nuk duhet harruar”, tha ai.

Kimete Arifaj, autore dhe pronare e librarisë “World Book”, tha se aktivitete të tilla janë shumë të domosdoshme për promovimin e kulturës së leximit. Ajo theksoi se Shoqata e Botuesve tashmë ka bërë traditë këtë panair, duke u dhënë hapësirë botuesve jo vetëm në Kosovë, por edhe në trojet shqipfolëse. “Mendoj që është shumë e nevojshme për kulturën dhe nxitjen e rritjes së lexuesve, sidomos lexuesve të rinj. Është njëra ndër evenimentet më të mëdha në Kosovë”, vlerësoi ajo.

Don Fatmir Koliqi, drejtor i shtëpisë botuese “Drita”, e cilësoi panairin si “një festë për librin dhe një shtysë e madhe” për lexuesit që të gjejnë botime në fusha të ndryshme të shkencës dhe letërsisë. Koliqi theksoi se teknologjia ka ndryshuar mënyrën e leximit, duke kaluar në formë digjitale, por shprehu besimin se rinia “nuk do ta humbin kurrë këtë takim të drejtpërdrejtë me librin e botuar”, duke shtuar se marrja në dorë dhe kontakti me librin është pjesë e kulturës sonë.

Panairi do të jetë i hapur deri më 21 qershor. Në të marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese, me afro 2.000 tituj të rinj dhe rreth 6.000 botime të viteve të fundit. Gjatë tij pritet të zhvillohen mbi 40 aktivitete kulturore, përfshirë promovime librash, debate dhe takime me autorë vendorë e ndërkombëtarë.

Burim: Ekonomia Online
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Sa e thellë është mbështetja e mërgatës për VV-në me 75.2% të votave?
  2. VV prin me 42.77% në votat me kusht, sa ulëse siguron avantazhi?
  3. Dukagjini i Klinës ndeshet me Luganon e Saipit
  4. Kush do të përfaqësojë Kosovën në garën evropiane të sigurisë kibernetike?

Vazhdo leximin