Pse Meliza Krasniqi thotë se në Kosovë nuk ka krizë të leximit?
Studiuesja e letërsisë argumenton se mungesa e një kulture masive historike të leximit dhe zhvillimi i vonshëm i botimeve shqip e bëjnë të pamundur rënien.
PRISHTINË — Autorja dhe studiuesja e letërsisë, Meliza Krasniqi, ka vlerësuar se në Kosovë nuk mund të flitet për një krizë të lexuesit, pasi vendi nuk ka pasur asnjëherë një kulturë masive të leximit. E ftuar në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ajo argumentoi se kjo situatë vjen kryesisht si pasojë e rrethanave të vështira historike.
Sipas Krasniqit, Kosova ka hyrë në shekullin e 20-të me shkallë të lartë të analfabetizmit dhe zhvillimi i leximit ka qenë i vonuar. Libri i parë në gjuhën shqipe në Kosovë u botua vetëm në vitin 1953, kur Martin Camaj botoi veprën e tij, vit në të cilin u hap edhe Instituti Albanologjik.
Studiuesja vuri në dukje se pesëmbëdhjetë vite më vonë u themelua Universiteti i Prishtinës, çka i dha shtysë botimeve nga Rilindja. Gjatë asaj periudhe, veprat e autorëve si Naim Frashëri botoheshin me tirazhe të mëdha prej 6 mijë deri në 10 mijë kopje, duke filluar kështu konsolidimin e një grupi të qëndrueshëm lexuesish.
Kjo periudhë e konsolidimit zgjati nga vitet '70 deri në vitet '90, kur izolimi dhe mbyllja e shkollave e kthyen librin në të vetmin mjet argëtimi. Mirëpo, pas luftës, zhvillimi i teknologjisë bëri që libri të mos konkurronte dot më me mjetet e reja të argëtimit dhe ilustrimet digjitale.
Burim: Klan Kosova
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.