Pse Serbia e Vuçiqit e përdor Vidovdanin si kërcënim hibrid kundër Kosovës?

Si rituali i Vidovdanit shndërrohet në instrument të mobilizimit nacionalist dhe mohimit të realitetit?

Pse Serbia e Vuçiqit e përdor Vidovdanin si kërcënim hibrid kundër Kosovës?
Foto: Wikimedia Commons

PRISHTINË — Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride „Octopus“, Arben Fetoshi, vlerëson se Vidovdani po përdoret si instrument i kërcënimit hibrid kundër Kosovës. Në analizën „Rituali i këmbanave të luftës në Ballkan“, ai thekson se Serbia e Aleksandar Vuçiqit vazhdon ta instrumentalizojë historinë për të ushqyer mitin që e ka „gjakosur“ atë.

Fetoshi citon filozofin grek Heraklitin, i cili para 2500 vjetësh kishte thënë se historia nuk mund të kthehet mbrapa, ashtu si nuk mund të hysh dy herë në të njëjtin lum. „Shumë më vonë, Ukshin Hoti ia kujtonte Serbisë se historia nuk mund të komandohet dhe se interpretimet për interesa hegjemoniste e bëjnë Kosovën kult të robërisë së saj“, shkruan ai.

Sipas tij, Vidovdani nuk është thjesht një përvjetor historik ose fetar, por një ritual që thirret për konflikt dhe dhunë. Në strategjinë hibride të pas-Milosheviqit, ky datë përdoret për të ushqyer narrativat manipuluese të „Botës Serbe“: viktimizimin, tokën „të shenjtë“ dhe agresionin e Perëndimit.

Fetoshi thekson se Beteja e Kosovës është bërë strumbullar i nacionalizmit ortodoks serb, ku miti shërben ndërgjegjes, besimit dhe mobilizimit „patriotik“. „Nuk kanë rëndësi faktet, rëndësi ka interpretimi“, shkruan ai, duke përmendur se vetëm tre vjet pas Memorandumit të Akademisë së Shkencave Serbe (1986), Millosheviqi organizoi 600-vjetorin e betejës në Fushë Kosovë për të nisur projektin e „Serbisë së Madhe“.

Pas bombardimeve të NATO-s në 1999, narracioni ndryshoi, por thelbi mbeti i njëjtë: mohimi i krimeve, pohimi se Kosova është „zemra e Serbisë“ dhe se është „grabitur përkohësisht“ nga agresioni perëndimor. Kisha Ortodokse Serbe vazhdon të përdorë Vidovdanin për të edukuar të rinjtë përmes „Shkollës Shpirtërore të Prizrenit“ dhe organizatës „Besëlidhja e Vidovdanit“.

„Sakralizohet, që të mos negociohet. Me shenjtërinë nuk bëhet kompromis“, shkruan Fetoshi, duke theksuar se Serbia shkon në Bruksel për të fituar „konstruktivitet“, por nuk pranon realitetin e Republikës së Kosovës. Kështu, Vidovdani pengon normalizimin e marrëdhënieve dhe mbështet refuzimin e pavarësisë.

Fetoshi përmend edhe rastin e Ukshin Hotit, i cili u burgos, u torturua dhe u zhduk në vitin 1999, duke u bërë simbol i qëndresës kundër politikës serbomadhe. „Historia e tij e izolimit dhe zhdukjes është konstantja e politikës jugosllave dhe serbomadhe, para dhe pas Millosheviqit“, thekson ai.

Burim: Gazeta Dukagjini
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Pse VLEN-u po hesht?
  2. Pse dëmtohen hallkat elektronike?
  3. Çfarë pritet për motin në Kosovë?
  4. Pse Mërgim Pefqeli rinovon kontratën me Dukagjinin?

Vazhdo leximin