Pse po mbytet Reka e Vogël nga mbeturinat?
Sa e rëndë është ndotja mjedisore në lokalitetet turistike të Dibrës, ku turistët lënë pas mbeturina të shpërndara kudo?
DIBËR — Lugina e Lumit Radikë dhe pjesa e territorit të Rekës së Vogël, në afërsi të Dibrës, janë ndër lokalitetet më të frekuentuara turistike gjatë sezonit veror. Nga fillimi i verës deri në ardhjen e vjeshtës, këto zona vizitohen nga një numër i madh turistësh vendorë dhe të huaj.
Lumi Radikë ofron freski të veçantë gjatë ditëve të nxehta. Temperaturat kanë filluar të kalojnë edhe 30 gradë Celsius. Megjithatë, një pjesë e turistëve lë pas sasi të mëdha mbeturinash pas qëndrimit ditor.
Pjesë të luginave të lumenjve Radikë dhe Gajre ishin të mbushura me mbeturina. E njëjta situatë u evidentua edhe pranë çezmave ku furnizohen me ujë vizitorët. Një gjendje veçanërisht shqetësuese u vu re te çezma pranë Urës së Boshkut.
Atje ku ndalin turistët për t'u freskuar, çezma ishte e rrethuar nga mbeturina të shumta. Këtu takuam Bexhet O., bjeshkatar i njohur dhe aktivist për mbrojtjen e mjedisit. "Nuk e kuptoj se çfarë turistësh janë këta që lënë pas kaq shumë mbeturina. Kjo tregon mungesë të theksuar të ndërgjegjes mjedisore", thotë ai.
Vizitorë nga Shkupi, Gostivari dhe banorë lokalë shprehën pakënaqësinë. F.S. dhe B.M. nga Shkupi deklaruan se institucionet përgjegjëse duhet të intensifikojnë kontrollet në terren. Një vizitore 32-vjeçare nga Shkupi tregoi se kishte parë vizitorë që hidhnin mbeturina pranë Urës së Kaprollit.
Gjatë vizitës pranë fshatit Rostushë, pamë familje të shumta që relaksoheshin buzë lumit, por edhe mbeturina të hedhura në vende të ndryshme. E njëjta situatë u evidentua edhe pranë lumit Radikë në afërsi të fshatit Jançe.
Shoqatat qytetare të Dibrës dhe të Komunës së Mavrovës dhe Rostushës kërkojnë urgjentisht shtimin e kontrolleve nga inspektorët kompetentë. Kjo pjesë e vendit ka potencial të madh turistik, por fatkeqësisht nuk shoqërohet gjithmonë me nivelin e nevojshëm të pastërtisë.
Burim: Koha.mk
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.