Sa do të rritet kërkesa për energji elektrike në Maqedoni deri në 2040?
Pse tranzicioni energjetik kërkon jo vetëm investime, por edhe kapital njerëzor të trajnuar?
SHKUP — Bota po hyn në një fazë të re të elektrifikimit, ndërsa kërkesa për energji elektrike në Maqedoni pritet të rritet me 26% deri në vitin 2040. Kjo rritje do të kërkojë zbatimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore në sektorin e energjisë, të cilat synojnë prodhimin e energjisë së pastër.
Agim Selami, drejtori i Institutit ZIP dhe i Forumit Energjetik të Maqedonisë (MEF), thekson se kalimi nga ambicia te zbatimi kërkon jo vetëm financim, por edhe modernizimin e institucioneve dhe përgatitjen e kuadrove. "Kapitali njerëzor është hallka më e rëndësishme në tranzicionin energjetik," deklaroi ai në emisionin Biznes 21.
Maqedonia ka bërë përparime të mëdha në përdorimin e burimeve të rinovueshme. Në vitin 2020, kapaciteti i instaluar nga energjia diellore ishte rreth 30 megavat, ndërsa në 2025 ka arritur në 1.200 megavat — një rritje prej mbi 3.000%. "Në vitin 2025 kemi më shumë kapacitet të instaluar sesa kishin së bashku gjashtë vendet e rajonit në vitin 2024," shpjegon Olimpia Hristova Zaevska, eksperte për financa të gjelbra.
Megjithatë, të dy ekspertët pajtohen se vendit i mungojnë kapacitetet administrative për të përthithur fondet dhe për të realizuar investimet. "Na mungojnë kuadro të trajnuara — inxhinierë, planifikues dhe profesionistë të kësaj fushe. Pa ta, projektet nuk do të zbatohen si duhet," thekson Selami.
Hristova Zaevska shton se institucionet kyçe duhet të reagojnë më shpejt, ndërsa administrata të kuptojë rolin e saj. "Gabimet banale grumbullohen dhe shndërrohen në probleme serioze. Investitorët janë gati, por duhet të kemi strukturat për t’i përballuar," thotë ajo.
Interkonektorët dhe forcimi i rrjetit energjetik janë prioritetet tjerë. "Siguria energjetike dhe politikat klimatike nuk mund të trajtohen më si tema të ndara," thekson Selami. Ndërkohë, ekspertja vë në dukje nevojën për informim më të madh të qytetarëve për përfitimet e tranzicionit.
Burim: TV21
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.