Pse rrezikon mbyllje shkolla shqipe e Kosturnikut?

Mbyllja e shkollës mund të dërgojë banorët në emigrim

Pse rrezikon mbyllje shkolla shqipe e Kosturnikut?
Foto: Wikimedia Commons

KUMANOVA — Paralajmërimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) për mbylljen e disa shkollave periferike dhe bashkimin e tyre me shkollat qendrore ka shqetësuar prindërit e fshatit Kosternik të Kumanovës, të cilët kanë protestuar duke kërkuar që shkolla të mos mbyllet.

Në shkollën e periferike “Vëllezërit Ribar” në Kosternik, në paralelet e gjuhës shqipe procesin edukativo-arsimor e ndjekin 10 nxënës. Këto statistika e vendosin shkollën në kategorinë e shkollave për mbyllje sipas kritereve të MASH-it.

Banorët thonë se nëse mbyllet shkolla, fëmijët do të duhet të udhëtojnë deri në 7 kilometra për në shkollë, duke rrezikuar edhe emigrimin e të rinjve. Fshati Kosternik ka rreth 300 banorë, por migrimi ka bërë që ai të zbrazet edhe më shumë.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) theksojnë se procesi i optimizimit të rrjetit shkollor ka filluar disa vite më parë, por zbatimi me mbështetjen e UNICEF-it dhe Bankës Botërore sapo ka filluar. Ata shtuan se me këtë proces, asnjë mësues nuk do të largohet nga puna, por fjala e fundit për bashkimin dhe mbylljen e shkollave i mbetet autoriteteve lokale.

Gjithashtu, nga MASH-i thanë se vitin e kaluar shkollor, 124 shkolla rajonale nuk regjistruan asnjë nxënës. Procesi i optimizimit synon që shkollat me pak nxënës të bashkohen me objektet më të afërta, duke u ofruar nxënësve socializim më të mirë, konkurrencë të inkurajuar dhe kushte infrastrukturore më të mira.

MASH-i thekson se përmes këtij procesi komunat do të kenë në dispozicion buxhet më të madh, i cili do të përdoret për të paguar pagat e mësuesve dhe shpenzimet e përgjithshme, si dhe për të investuar në modernizim dhe digjitalizim të procesit mësimor.

Edhe pse Komuna e Kumanovës nuk ka përgjigjur deri tani për pyetjet e Portalb.mk, banorët e Kosternikut kanë dalë në këmbë kundër mbylljes së shkollës. Siç shihet edhe në videon e publikuar, ata dërgojnë mesazhin: “Na detyroni të ikim nga vendi!”.

Ndryshe, sipas statistikave, në shtatë vitet e fundit numri i nxënësve në Maqedoninë e Veriut është zvogëluar për rreth 17 mijë. Vetëm gjatë një periudhe pesëvjeçare, 30 shkolla në mbarë vendin janë mbyllur për shkak të mungesës së nxënësve. Krahas mbylljes së objekteve shkollore, ka rënë edhe numri i paraleleve, duke u reduktuar me dhjetëra çdo vit.

*Burim: Portalb.mk, https://portalb.mk/shkolla-ne-kosternik-rrezikon-mbylljen-mash-i-pergjegjesine-ia-hedh-komunes-se-kumanoves/* *— Redaksia ZHURMA*

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Pse sindikata e kulturës në Maqedoni i ankou Lutkovin te ILO?
  2. Çfarë premtoi euroambasadori Rokas gjatë vizitës në Gostovar?
  3. Pse rrezikon mbyllje shkolla shqipe e Kosturnikut?
  4. Pse shkaktoi debat të ashpër optimizimi i shkollave në Maqedoni?

Vazhdo leximin