Si frenoi Banka e Shtetit Shqiptar inflacionin e 1945-s?
Vulosja e kartëmonedhave (27 qershor – 8 korrik 1945) pati 'efekte të ndjeshme' dhe tkurri emisionin me afro 98 milionë franga brenda vitit.
TIRANË — Sot mbushen 81 vjet nga dita kur Banka e Shtetit Shqiptar, më 22 qershor 1945, shpalli vulosjen e kartëmonedhave dhe çekmonedhave të emetuara nga ish-Banka Kombëtare e Shqipërisë. Vendimi erdhi si përgjigje ndaj shenjave të para të inflacionit dhe keqësimit të gjendjes monetare pas Luftës II Botërore.
Vulosja u zhvillua nga data 27 qershor deri më 8 korrik 1945, duke filluar nga zonat kufitare dhe duke mbuluar të gjithë vendin. Ajo u bë vetëm për prerjet 20 dhe 100 franga shqiptare, si dhe çekmonedhat me vleftë 20, 100, 500, 1000 dhe 5000 franga. Kartëmonedhat e pavulosura u konsideruan automatikisht të pavlefshme.
Vula kishte trajtën e një drejtkëndëshi 52×34 mm, me shqiponjën dykrenare dhe mbishkrimin "Banka e Shtetit Shqiptar". Sipas Bankës së Shqipërisë, vulosja u bë pa asnjë kufizim shume — por rreth 20% e monedhës mbeti jashtë procesit, pasi kartëmonedhat me prerje nën 20 franga nuk u vulosën fare.
BSH bën të ditur se vulosja pati "efekte të ndjeshme në qarkullimin monetar": emisioni ra nga 384.396.000 franga shqiptare (fundi i vitit 1944) në 286.100.000 franga (fundi i vitit 1945) — tkurrje prej afro 98 milionë frangave brenda vetëm një viti.
Burim: Almakos
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.