Pse politikanët bëhen objekt sulmesh në baza fetare dhe orientimi seksual?
Çfarë mund të ndikojë në rritjen e sulmeve kundër politikanëve në Kosovë?
PRISHTINË — Herë me simbole fetare e herë me ato të komunitetit LGBTIQ+, po paraqiten udhëheqës institucional e deputetë të Kuvendit të Kosovës, nga faqe, profile e grupe të ndryshme nëpër rrjetet sociale.
Në këto publikime, orientimi seksual, raca apo gjuha përdoret si mjet sulm ndaj politikanëve, kryesisht duke i manipuluar fotografitë dhe videot përmes Inteligjencës Artificiale.
Cak i këtyre postimeve kanë qenë politikanë të të gjitha partive politike në vend.
Pjesa më e madhe e fotografive dhe videove të manipuluara i portretizojnë politikanët burra si pjesë e komunitetit LGBTIQ+.
Pas konfirmimit të kandidaturës së tij për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Osman Musliu është bërë subjekt i publikimeve manipuluese në rrjetet sociale.
Osman Musliu ka qenë imam në Xhami deri në kohën kur ka filluar fushata elektorale.
Në disa raste të verifikuara nga Krypometër, ai dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti janë paraqitur në mënyrë të rreme me simbole të komunitetit LGBTIQ+ përmes disa fotografive të gjeneruara me inteligjencë artificiale.
Ekspertja Adelina Hasani nga KIPRED shpjegon se në një rast, kandidati Osman Musliu është paraqitur në një takim të fabrikuar me ish-liderin suprem të Iranit, Ali Khamenei, duke synuar krijimin e asociacioneve politike dhe ideologjike të pabazuara.
Në të njëjtën kohë, Kryeministri z. Kurti është portretizuar në mënyrë të rreme si klerik ortodoks, me qëllim mobilizimin e grupeve nacionaliste dhe përforcimin e narrativave që sugjerojnë lidhje të tij me interesa të jashtme, përfshirë komunitetin serb në Kosovë.
Krahas përmbajtjeve manipuluese që synojnë të krijojnë narrativa të rreme rreth orientimit seksual, figura publike janë bërë objekt edhe i publikimeve që përdorin identitetin fetar si mjet për diskreditim.
Një nga rastet që ka verifikuar Krypometër, është një fotografi e publikuar në Facebook, ku kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe Imami, Osman Musliu paraqiten të veshur si imamë në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Një tjetër përmbajtje e publikuar në Facebook paraqet Kurtin me veshje të klerikëve ortodoksë, duke krijuar një lidhje të rreme mes tij dhe identitetit fetar përmes një materiali të manipuluar.
Videoja, e shpërndarë nga një faqe në Facebook, e verifikuar nga Krypometër, shoqërohej me pretendime për çështjen e Manastirit të Deçanit dhe përmbante një deklaratë të rreme, e cila pretendohej se ishte thënë nga Kurti. Imazhi origjinal i përkiste drejtuesit të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, ndërsa fotografia ishte ndryshuar duke vendosur figurën e Kurtit në atë material.
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, është paraqitur duke folur në gjuhën rome, por pas verifikimit rezultoi se Basha kishte folur në gjuhën shqipe dhe se përmbajtja ishte ndryshuar për të krijuar një pretendim të rremë.
Përmbajtjet e gjeneruara me AI përdoren edhe për targetimin e komunitetit LGBTIQ+ dhe grave, të cilat mbeten ndër grupet kryesore të ekspozuara ndaj narrativave të ekstremit të djathtë. Adelina Hasani shprehet se këto lloj imazhesh kanë karakter thellësisht pezhorativ, pasi synojnë të delegjitimojnë dhe të stigmatizojnë përmes nënkuptimeve mbi “mungesën e maskulinitetit” dhe devijimin nga normat tradicionale gjinore.
Një nga shtyllat kryesore të dezinformatës Ruse në vitet e kaluara ka qenë sulmi ndaj komunitetit LGBTQI+, duke synuar të ndikojë tek pjesa e shoqërisë konservatore përmes frikës për prishjen e familjes. Këto synime të dezinformatës ruse janë dekonspiruara përmes raporteve të publikuara në BE.
EUvsDisinfo, iniciativë e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), ka identifikuar fushata të dezinformimit që kanë target politikanë dhe vetëm komunitetin LGBTQI+. Platforma shpjegon se si Rusia përmes dezinformatave ka tentuar të ndikojë në zgjedhje nëpër disa shtete.
Raporti “Shtyllat e Ekosistemit të Dezinformimit dhe Propagandës së Rusisë” i Departamentit të Shtetit Amerikan (GEC) ka shpjeguar se si kisha ortodokse ruse, mediat shtetërore dhe sajtet “proxy” koordinohen për të përhapur dezinformata kundër BE dhe vlerave familjare.
Burim: Kallxo, https://kallxo.com/gjate/permes-videove-dhe-fotografive-te-fabrikuara-politikanet-behen-objekt-sulmesh-ne-baza-fetare-dhe-te-orientimit-seksual/
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.