Pse Tetova mbetet me semaforë të fikur gjashtë muaj pas kontratës?
Edhe pse kontrata për ndërrimin e semaforëve u nënshkrua në janar, shumë prej tyre mbeten jofunksionalë në prag të sezonit veror.
TETOVË — Gjashtë muaj pas nënshkrimit të kontratës për ndërrimin e semaforëve, shumë prej tyre në Tetovë vazhdojnë të mos funksionojnë, duke shkaktuar tollovi të përditshme në prag të sezonit veror, raporton Portalb.mk.
Kryqëzimi te Xhamia e Larme dhe disa të tjera madhore përballen çdo ditë me kolona të gjata automjetesh dhe bllokime të shpeshta. Ndonëse autoritetet komunale kanë premtuar vazhdimisht zgjidhje, situata në terren mbetet e njëjtë.
Komuna e Tetovës nënshkroi kontratën më 29 janar me kompaninë ‘A-Zero’ nga Gostivari për rregullimin e sinjalistikës rrugore. Në gjashtë muaj, semaforë të rinj janë vendosur vetëm te shkolla e mesme e mjekësisë, ndërsa pjesa tjetër e qytetit mbetet pa ndryshime thelbësore.
Kryetari Bilall Kasami tha për Portalb se instalimi i semaforëve ka filluar dhe se të gjithë do të digjitalizohen me sistem të centralizuar. “Në bazë të planit do të vijojë te Xhamia e Larme, për shkak se edhe aty është kritike”, tha ai, por nuk dha afat konkret se kur do të përfundojë ky proces.
Zgjidhja e problemeve të trafikut pritej të adresohej përmes planit të mobilitetit, i cili u publikua më 15 prill pas zvarritjesh të shumta. Edhe pse autoritetet me vite premtojnë zgjidhje, pamjet nga terreni tregojnë se angazhimet nuk janë përkthyer në veprime konkrete.
Situata rëndohet gjatë verës dhe dimrit, kur kthehen mërgimtarët, duke e kthyer Tetovën në kaos të vërtetë për banorët dhe vizitorët. Zvarritja e zbatimit të kontratës ngre pikëpyetje serioze mbi përkushtimin e pushtetit lokal për të zgjidhur një problem kronik që prek çdo qytetar.
Burim: Portalb
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.