Si tentoi AUV të fshehë rastin e piperit Besiana me mykotoksinë?
Agjencia njoftoi vetëm kthimin e 20 majit; rasti i 12 majit — me mykotoksinën Ochratoxin A — doli falë kërkesës për dokumentin RASFF.
PRISHTINË — Finlanda ka kthyer dy ngarkesa të kompanisë kosovare Ananas Imex gjatë muajit maj — njërën më 12 maj dhe tjetrën më 20 maj — për shkak të pesticidit dhe mykotoksinës jashtë normave të lejuara. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), nën drejtimin e Bekim Hoxhës, ka njoftuar publikisht vetëm rastin e dytë: piperin e kuq të bluar Besiana, të kthyer për praninë e pesticidimit "Carbofuran".
Rasti i 12 majit ka mbetur i fshehur. Në atë datë, autoritetet finlandeze kishin ndaluar hyrjen e produktit — spec i kuq i shtypur — për shkak të gjetjes së mykotoksinës "Ochratoxin A". Njoftimi në Sistemin RASFF për këtë rast mban datën 14 maj — dy ditë pas kthimit të ngarkesës.
Portali Veriu.info ka kërkuar nga AUV qasje në dokumentin RASFF për rastin e 12 majit, por agjencia ka refuzuar ta ofrojë atë. Në vend të tij, AUV ka dërguar vetëm procesverbalin e inspektimit fitosanitar të kryer më 21 maj — një javë pas marrjes së njoftimit dhe nëntë ditë pasi ngarkesa kishte qenë kthyer nga Finlanda.
Inspektorët nuk kanë gjetur sasi të produktit në kompaninë Ananas Imex. Sipas procesverbalës, kompania ka deklaruar se ky lot kishte qenë i destinuar tërësisht për eksport. Vonesa nëntëditore e ka siguruar, de facto, mungesën e çdo prove fizike.
Burim: Insajderi
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.