Çfarë do të thotë verdikti i Hagës për katër ish-krerët e UÇK-së?
Pse gjykata speciale shtyn vendimin dhe çfarë pasojash mund të ketë për Kosovën?
HAGË — Dhomat e Specializuara në Hagë pritet të shpallin aktgjykimin për katër ish-udhëheqësit e UÇK-së: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë dhe pas luftës së Kosovës.
Fillimisht, vendimi ishte parashikuar për 19 maj, por u shty për 20 korrik 2026 për shkak të kompleksitetit të rastit. Gjykata ka lënë hapur mundësinë për një shtyrje të re, nëse kërkohet kohë shtesë. Të katërtit janë në paraburgim që nga nëntori 2020, kur u bë publike aktakuza.
Sipas aktakuzës, ata përshkruhen si pjesë e një "ndërmarrjeje të përbashkët kriminale", që synonte kontrollin përmes frikësimit dhe keqtrajtimit. Viktimat përfshijnë serbë, romë dhe shqiptarë që nuk mbështesnin UÇK-në. Prokuroria pretendon se të paktën 102 persona u vranë, ndërsa mbi 20 mbeten të zhdukur.
Prokuroria kërkoi dënim me 45 vjet burg për secilin, bazuar në kontributet e tyre në krime. Të akuzuarit e kanë mohuar kategorikisht akuzat. Thaçi i ka cilësuar ato si "krejtësisht të pavërteta", ndërsa mbrojtja ka paraqitur dëshmi nga zyrtarë perëndimorë, si James Rubin dhe Wesley Clark, që pohojnë se UÇK-ja nuk kishte strukturë të centralizuar.
Verdikti mund të ketë pasoja të mëdha për Kosovën, ku një pjesë e qytetarëve e shohin procesin si të padrejtë. Disa analistë presin lirimin e të akuzuarve, ndërsa të tjerë shmangin parashikime. Avokati Artan Qerkini argumenton se prokuroria nuk ka provuar ekzistencën e një "ndërmarrjeje kriminale" ose përgjegjësinë komanduese.
Burim: Telegrafi
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.