Sa mësimdhënës do të mbeten pa financim nga granti i arsimit?
Analiza e Institutit GAP paralajmëron se mbi 3,000 mësimdhënës janë larguar nga financimi qendror, duke krijuar një barrë financiare prej 24 milionë euro për komunat.
— Instituti GAP ka publikuar analizën “Numri i mësimdhënësve në komuna: tepricë apo nevojë?”, ku vërtetojnë se Ministria e Financave ka aplikuar një formulë më strikte për buxhetimin. Bazuar në raportin nxënës-mësimdhënës, për vitin 2026 janë larguar nga granti i arsimit gjithsej 3,101 mësimdhënës në të gjitha komunat e Kosovës.
Ky vendim krijon një ngarkesë financiare të konsiderueshme për buxhetet komunale. Vetëm për vitin 2026, kostoja e vlerësuar për mbulimin e këtyre pagave tejkalon 24 milionë euro. Nga 27,282 mësimdhënës të paraqitur në 25 komunat e analizuara, janë aprovuar vetëm 24,200, duke lënë 11.3% të stafit jashtë financimit qendror.
Tendenca e uljes vazhdon edhe për vitin pasues. Për vitin 2027, parashikohet që numri i përgjithshëm i mësimdhënësve të ulet edhe për 263. Ndërsa disa komuna do të kenë 463 mësimdhënës më pak, për disa të tjera planifikohet një rritje prej 200 mësimdhënës për të përshtatur nevojat reale.
Presioni më i madh financiar bie mbi Gjilanin, me një kosto prej mbi 2.5 milionë euro, dhe Gjakovën me mbi 2.3 milionë euro. Pas tyre vijnë Peja, Malisheva, Podujeva, Rahoveci, Suhareka, Skenderaj dhe Mitrovica e Jugut, të cilat tani duhet të zgjedhin mes harmonizimit të stafit ose financimit nga burimet vetanake.
Analiza thekson se ky është një problem strukturor i një dekade. Numri i nxënësve në 25 komunat e analizuara ka rënë nga 300,429 në vitin shkollor 2023/2024 në 279,465 për vitin 2026/2027. Kjo rënie prej afro 21 mijë nxënës nuk është shoqëruar me një përshtatje të numrit të shkollave dhe stafit.
Instituti GAP kërkon një riorganizim të rrjetit shkollor të bazuar në të dhëna të sakta për paralela dhe shpërndarje gjeografike. Sipas institutit, ky proces duhet të jetë pjesë e një reforme të qëndrueshme për përshtatjen e sistemit arsimor me ndryshimet demografike dhe financiare të vendit.
Burim: Telegrafi
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.