Gjykata Kushtetuese rrëzon emrat shqiptarë të rrugëve të Tetovës

Pse u kthyen sheshi 'Iliria' në 'Marshall Tito' dhe rrugët e tjera në emërtime komuniste?

Gjykata Kushtetuese rrëzon emrat shqiptarë të rrugëve të Tetovës
Foto: Wikimedia Commons

SHKUP — Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut shfuqizoi të martën vendimin e Këshillit të Komunës së Tetovës nga 24 prilli 2007, me të cilin sheshi qendror dhe disa rrugë morën emra në gjuhën shqipe dhe emra të figurave historike shqiptare.

Me këtë vendim, emërtimet e vendosura para gati dy dekadash pushojnë së vlejturi dhe rikthehen emrat e mëparshëm nga periudha komuniste. Sheshi "Iliria" kthehet në "Marshall Tito", rruga "Dervish Caara" rikthehet në akronimin e ushtrisë jugosllave JNA, "Mehmet Pashë Deralla" bëhet "29 Nëntori" etj.

Vendimi u miratua me 5 vota "për" dhe 3 "kundër". Dy gjyqtarët shqiptarë dhe ai i turk votuan kundër. Nisma, e parashtruar më 11 shkurt 2025, u vu nga Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945, së bashku me Darijan Sotirovskin. Ata pretendonin se Këshilli i Komunës kishte ndryshuar emrat pa pëlqimin e Qeverisë, në kundërshtim me Ligjin e vitit 2004 për caktimin e emrave të rrugëve, shesheve etj.

Bajram Rexhepi nga BDI-ja opozitare e quajti vendim "skandal" dhe "provokim i drejtpërdrejtë ndaj bashkëjetesës, barazisë dhe themeleve të shtetit të ndërtuar pas vitit 2001". "Tetovën po mundohen ta kthejnë prapa, në një realitet të dhimbshëm diskriminimi, përjashtimi dhe mohimi", tha ai, duke akuzuar udhëheqësinë aktuale të komunës se u tregua "e paaftë" për të mbrojtur vendimin e trashëguar. Nga Komuna e Tetovës nuk pati reagim zyrtar.

Kreu i komunës Bilall Kasami e kishte konsideruar nismën si tentativë për defokusim, duke akuzuar BDI-në. Vendimi i 2007-tës ishte miratuar kur në krye të Komunës ishte Hazbi Lika nga BDI, ndërsa në Qeveri PDSH-ja. Çështja ishte kaotike pasi Ministria e Brendshme dhe Regjistri Qendror nuk i futën ndryshimet në sistem. Procesi i riemërimit të rrugëve, i nisur në administratën 2021-2025, u ndërpre para zgjedhjeve lokale; grupi i ri i punës u riformua në janar 2025, por gjashtë muaj më vonë ende nuk ka epilog.

Në Tetovë, edhe pse disa rrugë janë emëruar në shqip, ato shfrytëzohen vetëm nga komuna në komunikim me qytetarët. Në dokumente zyrtare vazhdojnë emrat e periudhës jugosllave.

Burim: Portalb
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Çfarë paralajmëron Osmani pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Tetovën?
  2. Vdes punonjësi i EVN-së gjatë detyrës në Kriva Pallankë
  3. Dimitrievski: ZNAM hyri në qeveri për të parandaluar gabimet e së kaluarës
  4. Temperaturat deri në 42°C dhe rrezik ekstrem zjarresh këtë verë në Maqedoni

Vazhdo leximin