Pse kërkojnë banorët e Magurës ndalimin e kthimit të të dyshuarve?
Pas incidentit të fundit, banorët kërkojnë ndalimin e kthimit të personave të përfshirë
PRISHTINË — Banorët e Magurës së Lipjanit kanë nënshkruar një peticion, përmes të cilit kërkojnë që personat e përfshirë në incidentin e fundit në fshat të mos lejohen të kthehen më në Magurë. Peticioni u nënshkrua gjatë një takimi të mbajtur me banorët, ku u diskutuan zhvillimet e fundit lidhur me incidentin në të cilin mbeti i lënduar veterani i UÇK-së, Bekim Meta. Në përfundim të takimit u vendos që peticioni t'i dorëzohet Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë. Incidenti kishte ndodhur katër ditë më parë, kur, sipas dyshimeve, një grup personash nga komuniteti rom sulmuan Skënder Shahinin para shtëpisë së tij, si dhe veteranin e luftës së UÇK-së, Bekim Meta.
Anëtari i Këshillit të fshatit Magurë, Ramë Bardhi, tha se personat që ai i cilësoi si përgjegjës për ngjarjen nuk duhet të lejohen të rikthehen në fshat. “Shyqyr që s’ka ndodhur më e madhe, se ka mundur me ndodhur diçka hala më keq, po u ndal me aq. Unë jam i mendimit, në qoftë se edhe ju pajtoheni, këta kriminelë i kemi marrë emrat tuaj në nënshkrime krejt, mos me u kthyer në Magurë më kurrë”, tha ai. Bardhi shtoi se ngjarja nuk ka prekur vetëm disa familje, por të gjithë banorët e Magurës. “Kjo nuk ka ndodhur me tri familje, por ka ndodhur me krejt familjet e Magurës. Është rast i të gjithëve”, theksoi Bardhi.
Kryetari i Këshillit të fshatit Magurë, Ramiz Gashi, tha se ngjarja e fundit ka tronditur banorët e fshatit dhe u bëri thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për çdo informacion që kanë lidhur me rastin. “Rasti i fundit që ka ndodhur na ka tronditur të gjithëve, është rast shumë i rëndë, rast që se kemi pritur askush nga disa kriminelë famëkeq, të cilët nuk kanë qenë të mirëpritur këtu asnjëherë. Sepse e dimë të gjithë çfarë kanë bërë ata këtu, Dhe ata të cilët dinë diçka për ta, mos ta mbajnë në vete, por le të dalin para drejtësisë dhe le të deklarohen. Jo unë kam dëgjuar, jo skam dëgjuar por nëse e di të vërtetëm, thuaje”, tha Gashi. Ai theksoi se ngjarja ka shqetësuar të gjithë banorët e Magurës, duke përmendur edhe rastin e veteranit të UÇK-së, Bekim Meta. “Jemi shumë të shqetësuar për rastin e fundit me ushtarin tonë, Bekim Meta të cilin e kanë prekur do daur kriminale”, theksoi ai.
Kurse Shaban Qerimi, banor i fshatit, gjatë takimit shprehu mbështetjen për banorët e Magurës, duke thënë se do të qëndrojnë pranë çdo vendimi që do të merret lidhur me rastin. “Unë dua t’ju them të gjithë bashkëfshatarëve të mi se çdo vendim që do të merret, edhe ne ashkalinjtë jemi me ju”, theksoi ai. Gjykata në Lipjan vendosi masë të arrestit shtëpiak për veteranin dhe invalidin e luftës së UÇK-së, Bekim Meta dhe për Skendër Shahinin, palë të përfshira në incident. Banorët e Magurës kanë shprehur mbështetjen për vendimin e gjykatës dhe kërkojnë që të dyshuarit të mos lejohen të kthehen në fshat.
Burim: Telegrafi
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.