Çfarë denoncon OAK për vonesat në paraburgim?
Oda e Avokatëve të Kosovës denoncon zvarritjet në shqyrtimin e ankesave kundër masave të paraburgimit.
PRISHTINË — Oda e Avokatëve të Kosovës ka shprehur shqetësim serioz për vonesat e vazhdueshme në trajtimin e ankesave kundër vendimeve për caktimin apo vazhdimin e masës së paraburgimit. Në komunikatën për media, OAK thekson se Kodi i Procedurës Penale përcakton afate të qarta dhe imperative për këto raste, “pikërisht për shkak se bëhet fjalë për kufizimin më të rëndë të lirisë personale para një vendimi përfundimtar gjyqësor”.
Sipas OAK-së, në praktikë po vërehen vonesa të konsiderueshme në shqyrtimin dhe dorëzimin e vendimeve nga gjykatat e instancave më të larta. “Në jo pak raste, vendimet e Gjykatës së Apelit pranohen nga palët pas kalimit të disa javëve”, thuhet në komunikatë. OAK shton se ka raste kur masa e paraburgimit vazhdohet nga gjykata e shkallës së parë ndërsa pala ende nuk e ka pranuar vendimin e Apelit. Vonesa më të theksuara raportohen edhe në procedurat pranë Gjykatës Supreme.
OAK vlerëson se respektimi rigoroz i afateve ligjore “nuk paraqet vetëm obligim procedural, por garanci themelore kushtetuese dhe konvencionale që lidhet drejtpërdrejt me lirinë personale”. Oda i bën thirrje institucioneve gjyqësore që këto raste t’i trajtojnë me “prioritet absolut”.
Burim: Telegrafi
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.