Pse pacientët e Hematologjisë detyrohen të paguajnë për biopsi?
Mungesa e shërbimit të biopsisë në Klinikën e Hematologjisë shtyn pacientët të kërkojnë analiza private
PRISHTINË — Prej gati dy vjetësh, në Klinikën e Hematologjisë nuk është kryer biopsia e palcës së eshtrave që shërben për diagnostikimin e saktë të sëmundjeve malinje dhe jomalinje, tregojnë disa pacientë për gazetën Koha.net.
Për pasojë, pacientët detyrohen të bëjnë analizën në laboratorë privatë, me kosto financiare të rënda për familjet. Një familjar i një pacienteje, i cili ka folur për KOHËN në kushte anonimiteti pasi bashkëshortja e tij ende trajtohet në Klinikën e Hematologjisë, thotë se është detyruar të paguajë nga xhepi për kryerjen e biopsisë. “Tjetër kund nuk ka prej atyre që bëjnë biopsi, prandaj patjetër duhet me çu analizën në laboratorë privatë, e cila kushton. Për ne, për mu ka kushtu 180 euro analiza e biopsisë. Tjerat disa i kanë e disa jo, po janë më të lira, por kjo është një shumë e madhe, e cila duhet patjetër me u pagu, sepse rezultati i biopsisë është i sigurt”, ka deklaruar ai.
Sipas familjarit të pacientes, arsyetimi që ka marrë nga personeli shëndetësor është se laboranti që punonte ku bëhej biopsia, ka kohë që e ka lënë punën. “Diku mbi 1 vit, më duket gati 2 vjet, thanë që e ka lëshuar ai punën këtu dhe e ka hapur laboratorin privat. Jemi të detyruar me i kry këto analiza privat, sepse prej këtij rezultati pritet shumë”, ka shtuar ai.
E drejtoresha e Hematologjisë, Afërdita Ukimeraj, ka mohuar se biopsia nuk është duke u kryer në klinikë. “Asnjë laborant nuk e ka lëshuar punën në dy vjetët e fundit në Klinikën e Hematologjisë. Prej vitesh numri i laborantëve në Klinikën e Hematologjisë ka qenë 2, si dhe gjithmonë një laborant (nga biokimia) na vjen në ambulantë specialistike. Asnjëherë mungesa e laborantëve nuk ka ndikuar në mosrealizimin e ndonjë biopsie”, ka thënë Ukimeraj.
Mirëpo edhe një pacient tjetër ka thënë se për të njëjtën analizë ka paguar, meqë në QKUK nuk ofrohet, sipas tij. “Nuk kryhet këtu. Na kanë thënë se duhet ta bëjmë privat. Unë personalisht kam paguar 200 euro. Edhe nëse nuk ka pasur mjek, besoj se deri më tash është dashur të gjendet një zgjidhje, e jo pacientët të detyrohen të vrapojnë pas laboratorëve privatë”, ka deklaruar pacienti në kushte anonimiteti.
KOHA vazhdimisht ka raportuar për mungesën e barnave në klinikat e QKUK-së si dhe për mungesën e transparencës së këtij institucioni lidhur me pyetjet e dërguara nga televizioni.
Burim: Koha.net, https://www.koha.net/arberi/pacientet-ankohen-per-mungese-te-sherbimit-te-biopsise-nga-hematologjia-e-mohojne
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.