Ku dështoi Komuna e Prishtinës në menaxhimin e mbeturinave sipas ZKA-së?

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca raporton dështim në pothuajse të gjitha hallkat e mbikëqyrjes institucionale të mbeturinave në kryeqytet.

Ku dështoi Komuna e Prishtinës në menaxhimin e mbeturinave sipas ZKA-së?
Foto: Wikimedia Commons

PRISHTINË — Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca ka deklaruar se Komuna e Prishtinës nuk ka arritur të jetë as efikase as efektive në grumbullimin e mbeturinave gjatë viteve të fundit. Në konferencën për media ku u shpalos Plani Vjetor Auditues 2025/26, ajo tha se Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer auditim të performancës për shkak të interesit publik dhe situatës së krijuar në kryeqytet.

"Një nga gjetjet më shqetësuese të raportit është dështimi i pothuajse të gjitha hallkave të mbikëqyrjes institucionale. Ky proces kishte dështuar të realizohej pothuajse në të gjitha nivelet nga të gjitha palët," tha Spanca. Bordi i Drejtorëve të KRM "Pastrimi" nuk ka ushtruar mbikëqyrje efektive — në takimet e tij pothuajse asnjëherë nuk ishte trajtuar problematika aktuale e mbeturinave, por vetëm çështje financiare dhe administrative.

Numri i kamionëve aktivë ka rënë vazhdimisht: nga 28 në vitin 2023, në 25 në vitin 2024. Në tetor 2025, nga 31 kamionë sa i ka kompania, 18 prej tyre ishin në proces rregullimi. Edhe 8 kamionët e rinj të blerë nga Komuna në vitin 2024 u dorëzuan me vonesë — gjashtë me 20 ditë vonesë, ndërsa dy të tjerë u vunë në funksion gjashtë muaj pas blerjes.

Komuna kishte lidhur dy kontrata në 2024 për furnizim me kontejnerë në vlerë afër 747 mijë euro. Deri në tetor 2025, afër 900 kontejnerë dhe shporta vazhdojnë të qëndrojnë të papërdorur në Qendrën e Kompostimit. Shumë kontejnerë të tjerë janë dëmtuar për shkak të mungesës së njohurive të stafit operativ gjatë zbrazjes.

Angazhimi i operatorëve privatë i ka kushtuar Komunës më shtrenjtë. Në prill 2024, krahas KRM "Pastrimi", u angazhua operator privat me çmim 71.15 euro/ton, krahasuar me 61.88 euro/ton për kompaninë publike — duke rritur kostot për 149 mijë euro në periudhën prill-dhjetor 2024. Pavarësisht kësaj, nuk ka pasur përmirësime të dukshme në grumbullim. Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer përgigje lidhur me konkluzionet e auditimit, ndërsa KRM "Pastrimi" është pajtuar me to.

Spanca bëri të ditur se gjatë këtij sezoni auditues janë planifikuar 145 auditime dhe deri tani janë publikuar 24 raporte.

Burim: Zëri, http://www.zeri.info/ekonomia/623110/zka-komuna-e-prishtines-deshtoi-ne-menaxhimin-e-mbeturinave-operatoret-private-i-kushtuan-me-shtrenjte/
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. MPB arreston 44-vjeçarin që dyshohet se dogji veturat para ambasadës bullgare në Shkup
  2. Dimal Basha i kërcënon Ramën: "Letra në burg"
  3. Kuvendi miraton Kodin e Sjelljes Etike të deputetëve
  4. Qytetarët paguan 300 milionë euro investime të KEDS-it përmes tarifave

Vazhdo leximin