Çfarë rrëfime sjell ekspozita 'Shards of the Heart'?

Ekspozita fotografike trajton migrimin, kujtesën dhe kuptimin e shtëpisë përmes portreteve dhe dëshmive personale

Çfarë rrëfime sjell ekspozita 'Shards of the Heart'?
Foto: Wikimedia Commons

PRISHTINË — Ekspozita fotografike 'Shards of the Heart' është hapur në 'Europe House' në Prishtinë, duke sjellë rrëfime personale për migrimin, integrimin dhe ndjenjën e përkatësisë përmes historive të njerëzve që kanë rindërtuar jetën e tyre në Kosovë.

E realizuar nga fotografja ukrainase Tamila Lissner, ekspozita trajton migrimin, kujtesën dhe kuptimin e shtëpisë përmes portreteve dhe dëshmive personale, duke ftuar vizitorët të reflektojnë mbi qëndrueshmërinë dhe përvojat e njerëzve që janë detyruar të nisin një jetë të re larg vendlindjes.

Një nga rrëfimet e ekspozitës është ai i Maysoon nga Siria, e cila kujton vështirësitë e ditëve të para në Kosovë. 'Në fillim ndjeja shumë stres dhe pasiguri, sepse gjithçka ishte e re për mua, vendi, gjuha dhe mënyra e jetesës. Më mungonte shumë shtëpia dhe familja ime,' rrëfen ajo.

Edhe Valentina nga Moldavia, e cila jeton në Kosovë prej tre vitesh, tha se mësimi i gjuhës shqipe dhe komunikimi i përditshëm me qytetarët e kanë ndihmuar të integrohet. 'Përshtatja nuk ishte e lehtë. Kurset e gjuhës dhe bisedat e përditshme me shqiptarët më ndihmuan. Edhe puna ime me njerëzit më ndihmoi ta kuptoj kulturën. Tani kuptoj rreth 60 për qind të gjuhës shqipe,' tha ajo.

Ndërsa Rami nga Siria theksoi rëndësinë e mbështetjes që ka marrë nga organizatat që punojnë me refugjatët. 'Gjatë procesit të përshtatjes, ishte JRS që më ndihmoi, sepse krijuan një komunitet të vogël dhe të ngrohtë, një ndjenjë familjeje, dhe fillova të ndihem si në familjen time,' u shpreh ai.

Drejtoresha e Jesuit Refugee Service – JRS Kosovo, Orjana Shabani, tha se projekte të tilla krijojnë hapësira ku njerëzit mund të ndajnë përvojat e tyre në mënyrë dinjitoze. 'Përmes fotografisë dhe rrëfimit, ky projekt sjell histori të migrimit, përkatësisë dhe përshtatjes dhe na kujton se çdo rrugëtim është unik, por njëkohësisht thellësisht njerëzor,' deklaroi Shabani.

Ekspozita është organizuar nga HeartHome International Community, Jesuit Refugee Service – JRS Kosovo dhe Ukrainian Kosovo Association 'Bridges of Friendship', ndërsa do të qëndrojë e hapur në Europe House deri më 7 korrik 2026, çdo ditë nga ora 09:00 deri në 18:00.

Burim: Lajmi.net
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Pse thuhet se Vetëvendosja nuk di të qeverisë?
  2. Pse po rritet fruthi në Kosovë?
  3. Sa raste të konfirmuara me fruth janë raportuar në Kosovë?
  4. Pse u vra pesë persona në Gjermani?

Vazhdo leximin