Kur do të njofzohen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve?
KQZ pret përfundimin e shqyrtimit të ankesave para se të shpallë rezultatet përfundimtare të procesit zgjedhor.
PRISHTINË — Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha se ky institucion po pret përfundimin e shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve kompetente para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të procesit zgjedhor të 7 qershorit për Kuvendin e Kosovës.
KQZ do të veprojë në përputhje me vendimet që dalin nga instancat përkatëse, nëse ato përmbajnë obligime konkrete për zbatim. "KQZ është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse," tha Elezi. "Nëse këto vendime s'përmbajnë diçka të tillë, atëherë pasi bëhen të plotfuqishme, KQZ është e gatshme menjëherë t'i shpall rezultatet përfundimtare."
Shpallja e rezultateve përfundimtare nuk e përmbyll plotësisht procesin zgjedhor, pasi subjektet politike kanë ende të drejtë ankese ndaj këtyre rezultateve. Edhe pasi të bëhen përfundimtare, KQZ duhet të presë afatin e ankesave, vendimmarrjen e institucioneve përkatëse dhe pastaj të procedojë me certifikimin e rezultateve.
Kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, dje ankuan në Gjykatën Supreme për të kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të kësaj partie, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa hodhi poshtë ankesat e tyre para dy ditësh. Burim: Gazeta Metro
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.